Trumpi thotë se Ukraina s’duhet ta shënjestrojë Moskën me sulme - NACIONALE

Trumpi thotë se Ukraina s’duhet ta shënjestrojë Moskën me sulme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se Ukraina nuk duhet ta shënjestrojë Moskën me sulme, pasi gazeta “Financial Times” raportoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë më 4 korrik privatisht e kishte inkurajuar Kievin që t’i përshkallëzonte sulmet ndaj Rusisë.

Duke cituar burime anonime, gazeta e njohur tha se Trumpi gjithashtu kishte pyetur nëse Ukraina do të mund ta bënte këtë, nëse Shtetet e Bashkuara do t’i ofronin armë me rreze të gjatë, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, këtë javë, presidenti amerikan tha se vendi i tij “nuk është duke shikuar që ta bëjë këtë”.

Në telefonatën e tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Trumpi “thjesht po bënte një pyetje, nuk po inkurajonte vrasje të mëtejme”, i tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë televizionit BBC.

“Ai është duke punuar në mënyrë të palodhshme për t’i ndalur vrasjet dhe për ta përfunduar këtë luftë” – tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Të hënën, Trumpi njoftoi se do t’i dërgonte armë Ukrainës dhe paralajmëroi për taksa shtesë ndaj Rusisë, nëse ky shtet nuk bën marrëveshje armëpushimi me Ukrainën brenda 50 ditëve.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do t’u vendosin taksë dytësore prej 100 për qind partnerëve tregtarë të Rusisë, nëse një marrëveshje e paqes me Ukrainën nuk arrihet brenda këtij afati kohor.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Ukraina ende janë duke punuar në hollësitë e marrëveshjes për armët.

Në javët e fundit, Rusia i ka përshkallëzuar sulmet e saj me dronë e raketa në Ukrainë, duke vrarë më shumë se 230 civilë në qershor, sipas Kombeve të Bashkuara – numri më i lartë i viktimave në një muaj gjatë tri viteve luftë./Nacionale

Lajme të ngjashme