Trumpi thotë se ShBA-ja s’do ta ndihmojë Irakun, nëse populli e zgjedh kryeministër Malikin - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja s’do ta ndihmojë Irakun, nëse populli e zgjedh kryeministër Malikin

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka paralajmëruar irakianët që të mos e zgjedhin kryeministër Nouri al-Malikin, duke thënë se vendi i tij nuk do ta ndihmojë shtetin e Lindjes së Mesme, nëse një gjë e tillë ndodh.

“Po dëgjoj se shteti i mrekullueshëm i Irakut mund të bëjë një zgjedhje shumë të keqe duke e rikthyer Nouri al-Malikin si kryeministër” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”, raporton agjencia “Reuters”.

“Herën e fundit kur Maliki ishte në pushtet, vendi u katandis në varfëri e kaos të plotë. Kjo nuk duhet të lejohet që të ndodhë përsëri. Për shkak të politikave dhe ideologjive të tij të çmendura, Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmojnë më Irakun” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tij, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Iraku do të kishte “zero” gjasa për sukses.

Komentet e Trumpit janë shembulli më i qartë deri më tani i fushatës së presidentit republikan për ta kufizuar ndikimin e grupeve të lidhura me Iranin në Irak, shtet që për një kohë të gjatë ka ecur mbi një litar të hollë mes dy aleatëve më të ngushtë – Uashingtonit e Teheranit.

Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që menjëherë ta arrinte Malikin për t’i marrë një koment.

Paralajmërimi i Trumpit vjen disa ditë pasi aleanca e blloqeve politike shiite, e cila e ka shumicën e ulëseve në Kuvendit e Irakut, e zgjodhi Malikin si kandidat për kryeministër. Ai në të kaluarën ka shërbyer dy herë në këtë pozitë.

Si pjesë e fushatës së Trumpit për presion, Uashingtoni gjithashtu ka kërcënuar figura të larta politike irakiane me sanksione që do ta kishin në shënjestër shtetin irakian, nëse grupet e armatosura që mbështeten nga Irani përfshihen në qeverinë e ardhshme./Nacionale

Lajme të ngjashme