Trumpi thotë se ShBA-ja është afër marrëveshjes bërthamore me Iranin - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja është afër marrëveshjes bërthamore me Iranin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se vendi i tij po i afrohet shumë sigurimit të një marrëveshjeje bërthamore me Iranin dhe se Teherani “disi” është pajtuar me kushtet.

“Ne jemi në bisedime shumë serioze me Iranin për paqe afatgjatë. Po i afrohemi ndoshta bërjes së një marrëveshjeje pa u detyruar që ta bëjmë këtë… janë dy hapa për ta bërë këtë, është një hap shumë, shumë i bukur dhe është hapi i dhunshëm, por unë nuk dua ta bëj në mënyrën e dytë” – deklaroi presidenti amerikan gjatë vizitës në Lindje të Mesme.

Një burim iranian i afërt me bisedimet tha se ende ka dallime që duhet të kalohen në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Bisedimet e reja mes negociatorëve amerikanë e iranianë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth programit bërthamor të Teheranit përfunduan të dielën në Oman dhe janë planifikuar edhe bisedime të tjera, thanë zyrtarët, përderisa Irani publikisht këmbënguli për vazhdimin e pasurimit të uraniumit.

Edhe pse Uashingtoni e Teherani kanë thënë se e parapëlqejnë diplomacinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë bërthamore, ato mbete të ndara në lidhje me disa vija të kuqe, të cilat negociatorët duhet t’i tejkalojnë për të arritur një marrëveshje të re dhe për të shmangur ndonjë veprim ushtarak në të ardhmen.

Presidenti i Iranit reagoi ndaj komenteve të Trumpit të martën, kur kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Teherani është “forca më destruktive” në Lindjen e Mesme.

“Trumpi mendon se mund të na sanksionojë e të na kërcënojë e pastaj të flasë për të drejtat e njeriut. Të gjitha krimet dhe jostabiliteti rajonal shkaktohen nga ta (Shtetet e Bashkuara)– tha presidenti Masoud Pezeshkian. “Ai (Trumpi) dëshiron që të krijojë jostabilitet brenda Iranit” – shtoi presidenti iranian.

Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar publikisht se Irani duhet ta ndërpresë pasurimin e uraniumit, qëndrim që është quajtur “vijë e kuqe” nga zyrtarë iranianë, të cilët kanë pohuar se nuk do të heqin dorë nga ajo që e shohin si të drejtën e tyre për pasurimin e uraniumit në territorin e Iranit.

Megjithatë, ata kanë dhënë shenjë se janë të gatshëm për ta ulur nivelin e pasurimit të uraniumit. Zyrtarë iranianë gjithashtu kanë shprehur gatishmëri për ta zvogëluar sasinë e uraniumit të pasuruar në përqindje të lartë në depo – uranium i pasuruar përtej niveleve që nevojiten zakonisht për qëllime civile, siç është gjenerimi i energjisë bërthamore.

Burimi iranian tha se, përderisa Irani është i përgatitur për t’i ofruar ato që i konsideron koncesione, “problemi është se Amerika nuk është e gatshme për të hequr sanksione të rëndësishme në këmbim”./Nacionale

Lajme të ngjashme