Trumpi thotë se ShBA-ja e Emiratet e Bashkuara u pajtuan për rrugën drejt blerjes së çipave më të avancuar - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja e Emiratet e Bashkuara u pajtuan për rrugën drejt blerjes së çipave më të avancuar

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumo, tha të premten se vendi i tij dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë pajtuar për ta hapur rrugën që shteti i Gjirit Persik t’i blejë disa nga gjysmëpërçuesit më të avancuar të inteligjencës artificiale nga kompanitë amerikane.

Marrëveshja, e cila u finalizua të enjten gjatë vizitës së presidentit amerikan në Abu Dabi, është një fitore e rëndësishme për Emiratet e Bashkuara, të cilat janë munduar t’i baraspeshojnë marrëdhëniet me Uashingtonin, aleat i vjetër, dhe Kinën, e cila është partnerja më e madhe tregtare e Abu Dabit.

Kjo e pasqyron besimin e administratës së Trumpit se çipat mund të menaxhohen në mënyrë të sigurt, pjesërisht duke kërkuar që qendrat e të dhënave të menaxhohen nga kompanitë amerikane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Jemi duke bërë progres të madh për 1,4 trilion dollarët që Emiratet e Bashkuara kanë njoftuar se synojnë t’i shpenzojnë në Shtetet e Bashkuara” – tha Trumpi, duke folur gjatë vendndalimit të fundit të vizitës disaditore nëpër shtetet e Gjirit Persik, ku u përfshinë edhe Arabia Saudite e Katari.

“Dje, dy vendet u pajtuan që të krijonin një rrugë që Emiratet e Bashkuara t’i blejnë disa nga gjysmëpërçuesit më të avancuar të inteligjencës artificiale në botë nga kompanitë amerikane, një kontratë shumë e madhe” – shtoi ai.

“Kjo do të gjenerojë miliarda e miliarda dollarë në biznes dhe do t’i përshpejtojë planet e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bërë një lojtare vërtet e rëndësishme në inteligjencën artificiale” – tha më tej presidenti amerikan.

Në muajin mars, Emiratet e Bashkuara u zotuan për një kornizë 10-vjeçare të investimeve me vlerë të 1,4 trilion dollarëve në Shtetet e Bashkuara në sektorë si energjia, prodhimi dhe inteligjenca artificiale./Nacionale

Lajme të ngjashme