Trumpi thotë se ShBA-ja dëshiron të prodhojë tanke, jo çorape - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja dëshiron të prodhojë tanke, jo çorape

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se qëllimi i politikës së tij me taksa është që të promovohet prodhimi amerikan i tankeve dhe produkteve të teknologjisë, jo i çorapëve, këpucëve sportive e maicave.

Duke folur para gazetarëve para se të hipte në aeroplanin presidencial “Air Force One”, Trumpi tha se pajtohet me komentet e bëra nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent, më 29 prill se Shteteve të Bashkuara nuk u nevojitet patjetër një “industri tekstili që lulëzon” – komente që kishin nxitur kritika nga Këshilli Kombëtar i Organizatave të Tekstilit.

“Ne nuk po shikojmë që të bëjmë mbathje sportive e maica. Ne duam të bëjmë pajisje ushtarake. Duam të bëjmë gjëra të mëdha. Duam të bëjmë, ta bëjmë Inteligjencën Artificiale” – tha presidenti amerikan, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

“Unë nuk po shikoj që të bëj maica, që të jem i sinqertë. Nuk po shikoj që të bëj çorape. Ne mund ta bëjmë këtë shumë mirë në lokacione të tjera. Ne po shikojmë që të bëjmë çipa dhe kompjutera dhe shumë gjëra të tjera, tanke e anije” – shtoi ai.

Trumpi, i cili i ka përmbysur tregjet botërore me vendosje të taksave të gjera, e ringjalli retorikën e tij të ashpër të premten, kur propozoi taksë prej 50 për qind ndaj mallrave të Bashkimit Evropian duke filluar nga 1 qershori dhe e paralajmëroi kompaninë “Apple” se mund t’i vendoset taksë 25 për qind ndaj të gjithë telefonave “iPhone” që importohen në ShBA.

Megjithatë, ai u spraps nga kërcënimi ndaj BE-së të dielën, duke shtyrë një afat për hyrjen në fuqi të taksave deri më 9 korrik në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i bisedimeve mes Uashingtonit e Brukselit.

Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në ShBA më 2016 e 2024 pjesërisht duke i dhënë premtime klasës punëtore që është dëmtuar nga humbja e vendeve të punës në sektorin e prodhimit me kalimin e viteve.

Ai është përpjekur që t’i përmbushë premtimet për fuqizimin e prodhimit përmes vendosjes së taksave ndaj importeve dhe duke njoftuar investime nga kompani e shtete të huaja në ShBA, edhe pse ekonomia amerikane mbetet e varur nga zinxhirët furnizues me vende të tjera, ku shumë mallra, përfshirë tekstilin, prodhohen me kosto më të ulët./Nacionale

Lajme të ngjashme