Trumpi thotë se Putini është më i etur për paqe kur çmimet e naftës kanë rënë - NACIONALE

Trumpi thotë se Putini është më i etur për paqe kur çmimet e naftës kanë rënë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Rusia dhe Ukraina duan që ta zgjidhin luftën dhe se presidenti rus, Vladimir Putin, është më i prirë drejt paqes pas rënies së çmimeve të naftës rishtazi.

“Mendoj se, me çmimin e naftës tani për tani, nafta ka rënë, jemi në një pozicion të mirë për të bërë zgjidhje, ata duan të bëjnë zgjidhje. Ukraina dëshiron të bëjë zgjidhje” – tha Trumpi para gazetarëve të hënën në Zyrën Ovale.

Çmimi i naftës, e cila e mban ekonominë ruse, ka rënë për rreth 15 dollarë për fuçi që nga fillimi i vitit. Vendet anëtare të organizatës OPEC+ do ta përshpejtojnë rritjen e prodhimit, i kanë thënë agjencisë “Reuters” disa burime.

“Kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe, mund të ketë diçka që do të ndodhë dhe shpresoj se do të ndodhë” – shtoi presidenti amerikan.

Ai e përmendi shpalljen e armëpushimit treditor nga presidenti rus, Vladimir Putin, për ta shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

“Siç e dini, presidenti Putin porsa njoftoi një armëpushim traditor, i cili nuk tingëllon shumë, por është shumë, sikur ta dinit se nga ku kemi filluar. Kjo është një luftë që nuk duhej të ndodhte kurrë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tij, numri i të vrarëve në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës është shumë më i madh se shifrat e raportuara në media. Asnjëra palë në konflikt nuk publikon numra të viktimave në mënyrë të përditësuar.

Kur u pyet të hënën për një takim të mundshëm mes Trumpit dhe Putinit në Arabinë Saudite, Kremlini tha se një takim i tillë është i nevojshëm, por se Putini nuk ka udhëtime të planifikuara në Lindjen e Mesme në mesin e majit. Trumpi ka thënë se planifikon që ta vizitojë Arabinë Saudite ndoshta jo më larg se këtë muaj./Nacionale

Lajme të ngjashme