Trumpi thotë se nuk e ka për ngut heqjen e taksave, s'ia ndërron mendjen as Meloni - NACIONALE

Trumpi thotë se nuk e ka për ngut heqjen e taksave, s'ia ndërron mendjen as Meloni

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se ai nuk e ka për ngut arritjen e ndonjë marrëveshjeje tregtare, sepse ai i sheh taksat si diçka që i bëjnë të pasura Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, gjatë takimit me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, kreu i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se do të jetë lehtë që të gjendet një marrëveshje me Bashkimin Evropian e me të tjerët, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Ne nuk jemi për ngut” – tha presidenti amerikan, duke dhënë shenjë se ai ka levë, sepse shtete e tjera duan qasje te konsumatorët amerikanë.

Edhe pse Trumpi ka marrëdhënie të mirë me Melonin, ajo nuk arriti që gjatë takimit me presidentin amerikan t’ia ndryshonte mendjen rreth taksave.

“Jo, taksat po na bëjnë të pasur. Ne ishim duke humbur shumë të holla nën Bidenin dhe tani tërë ajo baticë është përmbysur” – shtoi presidenti amerikan, duke iu referuar paraardhësit të tij në pushtet, Joe Biden.

Trumpi është i bindur se përkushtimi i tij ndaj taksave do të prodhojë pasuri të pashembullt për Shtete e Bashkuara, edhe pse është shënuar rënie në tregjet e aksioneve, shkalla e interesit ndaj borxhit të ShBA-së është rritur dhe shefat ekzekutivë të kompanive po paralajmërojnë për rritje të çmimeve e humbje të vendeve të punës në atë që duket gjithnjë më shumë si kërcënim ndaj strukturës ekzistuese të ekonomisë botërore.

Pas takimit me Melonin, Trumpi u tha gazetarëve se bisedimet tregtare janë më të lehta se bisedimet e tjera biznesore. Ai shtoi se ka folur “shumë” me zyrtarë kinezë për taksat dhe se sasia e tarifave të tij ndaj importeve mund të ndikohet nga miratimi i shitjes së rrjetit social “TikTok” nga Kina./Nacionale

Lajme të ngjashme