Trumpi thotë se nuk do ta lejojë Izraelin që ta aneksojë Bregun Perëndimor - NACIONALE

Trumpi thotë se nuk do ta lejojë Izraelin që ta aneksojë Bregun Perëndimor

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ai nuk do ta lejojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që ta aneksojë Bregun Perëndimor që është i pushtuar nga Izraeli.

Duke folur para adresimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten, kreu i Shtëpisë së Bardhë para gazetarëve në Zyrën Ovale tha: “Unë nuk do ta lejoj Izraelin që ta aneksojë Bregun Perëndimor... Kjo nuk do të ndodhë.”

Presidenti amerikan, i cili të hënën e javës së ardhshme do të takohet me Netanyahun, gjithashtu tha se një marrëveshje për Gazën është “goxha afër”, raporton televizioni BBC.

Të enjten, Trumpi tha para gazetarëve se kishte biseduar me Netanyahun dhe me udhëheqës të tjerë të Lindjes së Mesme, transmeton gazeta "Nacionale".

“Po i shkojmë goxha afër pasjes së një marrëveshjeje për Gazën dhe ndoshta madje edhe paqes” – deklaroi presidenti republikan.

Izraeli po ballafaqohet me shtim të presionit ndërkombëtar për t’u dhënë fund luftës në Gaza dhe pushtimit të Bregut perëndimor. Disa shtete perëndimore ditëve të fundit njohën një shtet të pavarur palestinez. Izraelitët me bindje politike të së djathtës ekstreme e shohin aneksimin si mënyrë për ta parandaluar themelimin e këtij shteti.

Ultranacionalistët në koalicionin qeveritar të Netanyahut i kanë përsëritur thirrjet që Izraeli t’i aneksojë Bregun Perëndimor menjëherë.

Britania e Madhe dhe Gjermania kanë thënë se e kanë paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha në OKB të hënën se një gjë e tillë do të ishte “moralisht, ligjërisht dhe politikisht e patolerueshme”.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së përmes video-lidhjes të enjten, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha se ai është i gatshëm që të punojë me udhëheqësit botërorë për të zbatuar një plan të paqes për Izraelin dhe palestinezët, i njoftuar nga Franca të hënën.

Abbas-it, 90 vjeç, i ishte ndaluar nga Shtetet e Bashkuara udhëtimi në Nju-Jork për të marrë pjesë fizikisht në punimet e Asamblesë së Përgjithshme.

Lajme të ngjashme