Trumpi thotë se Irani është pajtuar që kurrë më të mos e mbyllë Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në rrjete sociale tha se Irani është pajtuar që kurrë të mos e mbyllë më Ngushticën e Hormzuit.
“Irani është pajtuar që kurrë më të mos e mbyllë Ngushticën e Hormuzit. Ajo nuk do të përdoret më si armë kundër botës” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”.
Më herët të premten, presidenti amerikan dhe kryediplomati iranian njoftuan se Ngushtica e Hormuzit ishte hapur.
Megjithatë, disa minuta më vonë, Trumpi tha se bllokada e forcave amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetej në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë me Teheranin.
Ngushtica e Hormuzit është rrugë shumë e rëndësishme detare. Para fillimit të konfliktit me 28 shkurt, nëpër të kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës.
Mbyllja e saj ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të naftës në botë dhe, natyrisht, këtu nuk është kursyer as Kosova.