Trumpi thotë se Irani është i përfshirë në bisedimet për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Trumpi thotë se Irani është i përfshirë në bisedimet për armëpushim në Gaza

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se Irani është i përfshirë në bisedimet që e kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve mes Izraelit e Hamasit.

“Gaza tani është në mesin e një negociate masive mes nesh, Hamasit dhe Izraelit dhe Irani në të vërtetë është i përfshirë dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me Gazën. Ne duam që t’i kthejmë pengjet” – tha presidenti amerikan para gazetarëve në një organizim në Dhomën Shtetërore të Ngrënies në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi nuk dha hollësi dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për më shumë të dhëna rreth përfshirjes së Iranit. Misioni i këtij shteti në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një armëpushim 60-ditor mes Izraelit e Hamasit. Izraeli ka thënë se do t’i respektonte këto kushte, por Hamasi deri më tani e ka refuzuar planin.

Sipas propozimit amerikan, 28 pengje izraelite – të gjalla e të vdekura – do të liroheshin në javën e parë të armëpushimit, në këmbim të lirimit të 1.236 të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve të 180 palestinezëve të vdekur.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë gjithashtu të përfshira në bisedime të tjera në përpjekje për të arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit./Nacionale

Lajme të ngjashme