Trumpi thotë se Irani “duhet ta valëvitë flamurin e bardhë të dorëzimit” - NACIONALE

Trumpi thotë se Irani “duhet ta valëvitë flamurin e bardhë të dorëzimit”

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën i minimizoi kapacitetet ushtarake të Iranit dhe tha se Teherani “duhet ta valëvitë flamurin e dorëzimit”, por është tepër krenar për ta bërë këtë.

Trumpi tha para gazetarëve në Zyrën Ovale se ushtria e Iranit është zvogëluar dhe se Teherani privatisht dëshiron që të bëjë një marrëveshje pavarësisht retorikës së ashpër publike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ata luajnë lojëra, por më lejoni t’ju tregoj, ata duan të bëjnë një marrëveshje, e kush nuk do të donte, kur ushtria të ka mbaruar tërësisht” – shtoi presidenti amerikan.

Ai e vlerësoi lart bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane në rajon. “Është si një copë çeliku. Askush nuk do ta sfidojë bllokadën dhe mendoj se është duke funksionuar shumë mirë” – tha Trumpi.

Kur u pyet se çfarë do të duhej të bënte Irani për ta shkelur armëpushimin, Trumpi tha: “Epo mirë, do ta merrni vesh, sepse do t’ju tregoj... Ata dinë se çfarë të bëjnë.”

Më tej, ai tha se Irani “duhet ta ruajë flamurin e bardhë të dorëzimit”.

“Nëse kjo do të ishte luftë, ata do ta kishin ndalur” – shtoi presidenti amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme