Trumpi thotë se “duket që” Hamasi do të çarmatoset, Witkoff: Do t’i dorëzojnë kallashët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se “duket që” Hamasi “do të çarmatoset”.
Ai nuk paraqiti ndonjë dëshmi për këtë pretendim gjatë një takimi të kabinetit dhe zyrtarët e Hamasit, deri para disa orëve, kanë këmbëngulur se nuk është ashtu, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ndërkohë, emisari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, gjithashtu këmbënguli se Hamasi do të çarmatoset. “Do ta bëjnë, sepse nuk kanë zgjedhje tjetër. Do t’i dorëzojnë kallashët e tyre” – tha ai.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Mike Waltz, tha të mërkurën se Hamasit gjithashtu do t’i kërkohet që t’i dorëzojë armët përmes një programi ndërkombëtar të riblerjes, duke dhënë hollësi të reja për programin që Uashingtoni planifikon ta çojë përpara me qëllim të çarmatosjes së grupit.
Komentet e ambasadorit amerikan e konfirmuan raportimin e gazetës “The Times of Israel” muajve të fundit për planet rreth themelimit të një programi të riblerjes, ku pjesëmarrësve do t’u jepeshin fonde ose vende pune si dhe amnisti, nëse do të pajtoheshin që t’i dorëzonin armët.
Kjo është pjesë e një nisme më të gjerë për çarmatosjen e Hamasit, e cila po shtyhet përpara nga ndërmjetësit e armëpushimit në Gaza. Sipas këtij plani, Hamasi fillimit do t’i dorëzonte armët e rënda, sipas diplomatëve arabë që kanë biseduar me gazetën “The Times of Israel”.