Trumpi thotë se do t’ia ndalë fondet Afrikës së Jugut derisa të kryhet një hetim - NACIONALE

Trumpi thotë se do t’ia ndalë fondet Afrikës së Jugut derisa të kryhet një hetim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vlerësuar se Afrika e Jugut është “duke konfiskuar” tokë dhe “duke trajtuar klasa të caktuara të njerëzve shumë keq”, përderisa njoftoi se do t’ia ndalte këtij shteti të gjitha fondet e ardhshme në pritje të një hetimi.

Problemi i tokave në Afrikën e Jugut ka qenë përçarës për një kohë të gjatë. Përpjekjet për ta rregulluar pabarazinë e sundimit të të bardhëve kanë tërhequr kritika nga konservatorët, përfshirë miliarderin Elon Musk, personi më i pasur në botë, i cili është lindur pikërisht në Afrikën e Jugut dhe është një këshilltar i fuqishëm i Trumpit, raporton gazeta “The Guardian”.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, muajin e kaluar nënshkroi një ligj i cili parasheh që Qeveria, në rrethana të caktuara mund të ofrojë “zero dëmshpërblim” për prona të cilat vendos t’i shpronësojë për interesin publik.

“Afrika e Jugut është duke konfiskuar tokë dhe duke trajtuar klasa të caktuara të njerëzve SHUMË KEQ. Unë do t’i ndërpres të gjitha fondet e ardhshme derisa të përfundohet një hetim i plotë i kësaj situate” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.

Si kundërpërgjigje ndaj komenteve të tij, Afrika e Jugut tha se ligji i saj për shpronësime nuk është i pazakontë.

“Ne besojmë se këshilltarët e presidentit Trump do ta shfrytëzojnë periudhën hetuese për të arritur një të kuptuar të plotë të politikave të Afrikës së Jugut brenda kornizës së një demokracie kushtetuese” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Afrikës së Jugut.

Shteti afrikan më parë ka argumentuar se ligji nuk e lejon Qeverinë që të shpronësojë prona në mënyrë arbitrare dhe së pari duhet të synohet arritja e marrëveshjes me pronarët.

Megjithatë, disa grupe kanë frikë se mund të ndodhë një situatë e ngjashme me atë në Zimbabve, ku Qeveria ka marrë nën kontroll ferma me pronarë të bardhë, shpesh pa dëmshpërblime, pas pavarësisë më 1980.

Më vonë, në një konferencë për gazetarë, Trumpi tha se “udhëheqësia (e Afrikës së Jugut) është duke bërë disa gjëra të tmerrshme, gjëra të tmerrshme”, pa dhënë ndonjë shembull.

Pronësia e tokës është çështje e diskutueshme në Afrikën e Jugut. Shumica e tokës bujqësore ende është në pronësi të njerëzve të bardhë edhe tri dekada pas përfundimit të aparteidit./Nacionale

Lajme të ngjashme