Trumpi thotë se do t’i vendosë taksë prej 25 për qind Indisë nga 1 gushti
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se vendi i tij do të vendosë taksë prej 25 për qind ndaj mallrave të importuara nga India duke filluar nga 1 gushti.
Ai tha se India, e cila e ka ekonominë e pestë më të madhe në botë, gjithashtu do të ballafaqohet me një ndëshkim të pasaktësuar më 1 gusht, por nuk dha hollësi për sasinë ose për çka bëhet fjalë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Përderisa India është mikja jonë, ne, përgjatë viteve, kemi bërë biznes relativisht të vogël me ta, sepse taksat e tyre janë tepër të larta, ndër më të lartat në botë, dhe ata i kanë barrierat tregtare më të padurueshme dhe më të bezdisshme se cilido shtet” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.
“Ata gjithmonë kanë blerë një shumicë dërrmuese të pajisjeve të tyre ushtarake nga Rusia dhe janë blerësi më i madh i energjisë nga Rusia, bashkë me Kinën, në një kohë kur secili dëshiron që Rusia t’i ndalë vrasjet në Ukrainë – të gjitha gjërat jo të mira” – shtoi ai.
Ministria e Tregtisë e Indisë, e cila është duke i udhëhequr bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Vendimi i Trumpit e zbeh shpresën për një marrëveshje të kufizuar tregtare mes dy vendeve, e cila ishte duke u negociuar për disa muaj.
Negociatorët tregtarë amerikanë dhe indianë kishin zhvilluar disa runde të diskutimeve për t’i zgjidhur çështjet e diskutueshme, sidomos qasjen në treg të produkteve amerikane bujqësore dhe të bulmetit.