Trumpi për sulmin rus me 34 të vrarë në Ukrainë: Më thanë se bënë një gabim
Një sulm raketor rus ndaj qytetit Sumy të Ukrainës, nga i cili janë vrarë 34 njerëz, përfshirë dy fëmijë, e janë lënduar 117 të tjerë, është dënuar fuqishëm nga aleatët perëndimorë të Kievit.
Dy raketa balistike e goditën qendrën e qytetit të dielën në mëngjes, duke shpërthyer afër universitetit publikdhe qendrës së kongreseve, duke lënë trupa të përgjakur të shpërndarë rrugëve, raporton televizioni BBC.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e përshkroi sulmin si "gjë të tmerrshme", ndërsa kancelari në ardhje i Gjermanisë, Friedrich Merz, e akuzoi Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.
Nuk pati koment të menjëhershëm zyrtar rreth këtij sulmi nga Rusia, forcat e të cilës afër kufirit thuhet se janë duke u përgatitur për një ofensivë të madhe.
Sulmi ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara, aleatet më të fuqishme ushtarake të Ukrainës, kanë qenë duke e ndjekur synimin për t’i dhënë fund luftës – e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt – përmes një procesi negociues nën pushtetin e Trumpit.
I pyetur për sulmin rus në Summy, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ai ishte “i tmerrshëm” dhe se atij i është thënë që “ata (rusët) bënë një gabim”, por nuk hyri në hollësi.
Më herët, emisari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën, gjenerali në pension, Keith Kellog, tha se sulmi rus në Sumy kaloi “çdo kufi të njerëzisë”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje homologut amerikan që ta vizitojë vendin e tij dhe ta shohë vetë shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi rus.
“Ju lutem, para çfarëdo lloji të vendimeve, çfarëdo lloji të bisedimeve, ejani t’i shihni njerëzit, civilët, luftëtarët, spitalet, kishat, fëmijët – të shkatërruar ose të vdekur” – tha Zelensky në një intervistë të incizuar para sulmit në Sumy.
Gjermani Merz, i cili pritet të bëhet kancelar muajin e ardhshëm, i tha transmetuesit publik ARD se sulmi në Sumy përbën “krim lufte serioz”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e akuzoi Rusinë për “shpërfillje flagrante të jetëve njerëzve, të drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjeve diplomatike të presidentit Trump”./Nacionale