Trumpi për përpjekjet për ndaljen e luftës në Ukrainë: S’po e bëj për shëndetin tim - NACIONALE

Trumpi për përpjekjet për ndaljen e luftës në Ukrainë: S’po e bëj për shëndetin tim

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk po mundohet që t’i japë fund luftës në Ukrainës për ta përmirësuar jetën e vet.

“Nuk po e bëj këtë për shëndetin tim. Në rregull, nuk më nevojitet” – tha ai para gazetarëve në aeroplanin presidencial, derisa po shkonte drejt Alaskës.

“Do të doja që të përqendroheshim në vendin tonë, por po e bëj këtë që të shpëtoj shumë jetë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton televizioni CNN.

Sipas tij, pasojat për Rusinë, nëse homologu rus, Vladimir Putin, nuk pajtohet për t’i dhënë fund luftës, do të jenë ndëshkuese.

“Po, do të jenë shumë të ashpra” – tha ai për masat e mundshme ekonomike kundër Moskës

Trumpi nuk premtoi garanci sigurie për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se ai është i hapur për këtë ide, por se Evropa do të duhej të printe në këtë çështje.

“Ndoshta” – tha ai para gazetarëve në aeroplan, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do t’i vendosnin në tavolinë garancitë e sigurisë.

Sidoqoftë, presidenti amerikan bëri të qartë se në masa të tilla nuk do të përfshihej anëtarësimi i Ukrainës në NATO.

“Jo në formën e NATO-s” – tha ai. “Janë gjëra të caktuara që nuk do të ndodhin” – paralajmëroi Trumpi.

Më tej, presidenti amerikan tha se nuk po udhëtonte për në Alaskë për të ndërmjetësuar një marrëveshje në emër të Ukrainës, por se qëllimi i tij është që ta ulë në tavolinën e bisedimeve homologun rus.

“Nuk jam këtu për të negociuar për Ukrainën” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme