Trumpi mbërrin në Nju Jork para dorëzimit e paraqitjes në gjykatë
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, arriti në Nju Jork të hënën, një ditë para paraqitjes së tij të pritshme në një gjykatë, ku do të përgjigjet për aktakuzën e parë kundër një ish-presidenti të ShBA-së.
Rreth orës 14 e 15 minuta sipas kohës lokale të martën, ai do të paraqitet në një sallë gjykate, ku javën e kaluar u dorëzua një aktakuzë kundër tij nga prokurori Alvin Brag. Pritet që Trumpi të marrë vesh se cilat ligje dyshohet se i ka shkelur, raporton gazeta “The Guardian”.
Pritet që autoritetet ta fotografojnë dhe t’ia marrin shenjat e gishtave ish-presidentit, por atij nuk do t’i vendosen prangat falë një marrëveshjeje që ekipi i tij ligjor e ka arritur me prokurorin, tha javën e kaluar avokati i Trumpit, Joe Tacopina.
Ish-presidenti u nis të hënën nga Florida për në Nju Jork, ku e ka ndërtuar karrierën përmes patundshmërive dhe si yll televizioni. “Amerika nuk duhej të ishte kështu”- shkroi Trumpi në rrjetin e tij social të dielën në mbrëmje, ku njoftoi për planet e tij për udhëtim ditëve në vijim.
Pasdite vonë, ai hyrë në ndërtesën “Trump Tower”, ku ka një banesë dhe zyra. Ish-presidenti i përshëndeti njerëzit që ishin para ndërtesës dhe u fut në të.
Disa medie të njohura amerikane i kanë bërë kërkesë gjykatësit Juan Merchan për ta bërë publike aktakuzën e prokurorit Bragg, e cila raportohet se përmban rreth 30 akuza për dyshimet se Trumpi i kishte dhënë para një aktoreve të filmave për të rritur për të mos folur rreth aferës së pretenduar me të para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Pavarësisht nga kufizimet për mbulim nga mediet, paraqitja e Trumpit në gjykatë do ta marrë vëmendjen më të madhe të mundshme të publikut. Të hënën në mëngjes, televizionet lokale në Florida e transmetuan arritjen e Trumpit në klubin e tij të golfit dhe vendosën kamera në aeroportin ku ai e filloi udhëtimin.
Ish-presidenti ka thënë se do të deklarohet pas seancës dëgjimore, por mund të mos e thotë tërë atë që e ka në mendje. Gjykatësi Merchan mund të lëshojë urdhër për ndalimin e diskutimit të rastit në publik nga të gjitha palët, pasi Trumpi e kaloi fundjavën duke e kritikuar prokurorin Bragg.
Duket se aktakuza e ka ndihmuar Trumpin për synimin e tij që ta fitojë nominim e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Sipas një ankete të publikuar të shtunën, ai ka epërsi prej 26 për qind ngaj kundërkandidatit të mundshëm, Ron DeSantis.

