Trumpi kërkon që të pastrehët menjëherë të largohen nga kryeqyteti Washington DC - NACIONALE

Trumpi kërkon që të pastrehët menjëherë të largohen nga kryeqyteti Washington DC

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se njerëzit e pastrehë duhet të largohen nga kryeqyteti amerikan, Washington DC, përderisa u zotua për luftimin e krimit në qytet, por kryetarja reagoi kundër krahasimit të kryeqytetit me Bagdadin e Irakut.

“Ne do t’ju japim vende për të qëndruar, por LARG nga kryeqyteti” – shkroi Trumpi të dielën në rrejte sociale. Ai gjithashtu e përmendi planin për ta bërë qytetin “më të sigurt dhe më të bukur se kurrë më parë”, raporton televizioni BBC.

Kryetarja e Washington-it, Muriel Bowser, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike, rivale e republikanëve të Trumpit, tha: “Ne nuk jemi duke përjetuar shtim të krimit.”

Muajin e kaluar, presidenti amerikan nënshkroi një urdhër për ta bërë më të lehtë arrestimin e personave të pastrehë dhe javën e kaluar urdhëroi një agjenci federale për zbatimin e ligjit që të dilte rrugëve të kryeqytetit.

“Të pastrehët duhet të largohen, MENJËHERË” – shkroi të dielën Trumpi në rrjetin “Truth Social”. “Kriminelë, ju nuk jeni të detyruar që të largoheni. Ne do t’ju fusim në burg, aty ku përkisni” – shtoi ai.

Duke publikuar fotografi të tendave e mbeturinave, presidenti shkroi: “Nuk do të ketë “z. njeri i mirë”. Ne duam ta kthejmë kryeqytetin tonë. Faleminderit për vëmendjen tuaj në këtë çështje!”

Hollësitë e planit të Trumpit nuk janë të qarta, por në një fjalim më 2022 ai kishte propozuar që njerëzit e pastrehë të vendoseshin në tenda “me cilësi të lartë” në toka jo të shtrenjta jashtë qyteteve, ndërkohë duke u ofruar atyre qasje në banja dhe profesionistë mjekësorë.

Të premten, Trumpi urdhëroi agjentë federalë të disa agjencive – përfshirë Policinë e Parqeve, agjencinë kundër drogës, DEA, FBI-në dhe Shërbimin e Mareshalëve – që të hynin në kryeqytet për ta luftuar atë që ai e quajti nivel të krimit që ka dalë “tërësisht jashtë kontrollit”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha në Radion Publike Kombëtare se deri në 450 oficerë federalë u dislokuan në Uashington të shtunën në mbrëmje./Nacionale

Lajme të ngjashme