Trumpi i thotë Netanyahut se bisedimet bërthamore me Iranin duhet të vazhdojnë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk pati marrëveshje për “asgjë definitive”, por se ai “këmbënguli” se bisedimet me Iranin duhet të vazhdojnë gjatë një takimi të mërkurën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur tensionet në Lindjen e Mesme po vazhdojnë të rriten dhe bisedimet po intensifikohen rreth kufizimeve ndaj programit bërthamor të Iranit, raporton televizioni BBC.
Pritej që Netanyahu ta shtynte Trumpin për të ndjekur një marrëveshje që jo vetëm që do ta ndalte pasurimin e uraniumit nga Irani, por që do ta kufizonte edhe programin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet prokura si Hamasi e Hezbollahu.
Vizita e Netanyahut e shënon herën e gjashtë që ai shkon në Shtetet e Bashkuara që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë – më shpesh se cilido udhëheqës tjetër botëror.
Përmes një shkrimi në rrjetin “Truth Social” më pas, Trumpi tha se takimi ishte “shumë i mirë”. “Nuk u arrit asgjë definitive përpos që unë këmbëngula që bisedimet me Iranin të vazhdojnë për të parë nëse mund të arrihet apo jo” – shkroi presidenti amerikan.
Ai shtoi se do të parapëlqente një marrëveshje, por nëse ajo nuk arrihet, “ne do të duhet vetëm të shohim se cili do të jetë rezultati”.
Si aleat i ngushtë i Trumpit, Netanyahu për një kohë të gjatë ka argumentuar se Irani paraqet një kërcënim ekzistencial ndaj Izraelit dhe e ka shtyrë Uashingtonin që ta kufizojë ndikimin e Teheranit në rajon./Nacionale