Trumpi i pezullon vizat për studentët e huaj në Universitetin e Harvardit
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pezulluar fillimisht për gjashtë muaj hyrjen në ShBA të studentëve të huaj që synojnë të studiojnë ose të marrin pjesë në programe të këmbimit në Universitetin e Harvardit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e lëshoi njoftimin të mërkurën, duke i përmendur shqetësimet për “sigurinë kombëtare” dhe konsideroi se është “e dëmshme” që të vazhdohet lejimi i studentëve të huaj në institucionin e njohur të arsimit të lartë, raporton televizioni BBC.
Universiteti i Harvardit ka reaguar duke e cilësuar “hakmarrës” këtë urdhër dhe ka theksuar se do të vazhdojë që t’i mbrojë studentët e vet ndërkombëtarë.
Njoftimi i Trumpit është përshkallëzim i mëtejmë i një beteje ligjore me njërin nga universitetet më prestigjioze, pasi Harvardi refuzoi që të plotësonte një varg kërkesash të Shtëpisë së Bardhë në prill.
Urdhri i së mërkurës vjen pasi një gjykatës ia bllokoi Departamentit të Sigurisë së Atdheut ndalimin e regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë në Harvard përmes një vendimi të marrë javën e kaluar.
Me urdhrin e presidentit amerikan gjithashtu pezullohen vizat për studentët e huaj që synojnë të marrin pjesë në programe shkëmbimi dhe e udhëzon sekretarin e Shtetit që t’i tërheqë vizat ekzistuese për studentët që janë duke studiuar aktualisht në universitetin e famshëm.
Pezullimi i vizave mund të zgjatet edhe pas përfundimit të periudhës fillestare 6-mujore.
Shtëpia e Bardhë tha se Harvardi kishte dështuar që t’i ofronte të dhëna të mjaftueshme Departamentit të Sigurisë së Atdheut për “aktivitetet e njohura të paligjshme ose të rrezikshme të studentëve të huaj” dhe se kishte raportuar “të dhëna me mungesa për vetëm tre studentë”./Nacionale