Trumpi i pezullon ndihmat e jashtme amerikane për 90 ditë, pritet rishqyrtimi i tyre
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të hënën dha urdhër për një pauzë 90-ditore për asistencën për zhvillim të jashtëm, në pritje të vlerësimit të efikasitetit dhe konsistencës së saj me politikën e jashtme.
“Të gjithë udhëheqësit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e Shteteve të Bashkuara për asistencë për zhvillim të jashtëm duhet t’i pauzojnë menjëherë detyrimet dhe pagesat e fondeve të asistencës për zhvillim” – thuhet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Trumpi vetëm disa orë pasi e mori mandatin e dytë si president, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Nuk ishte menjëherë e qartë se sa i gjerë ishte ky urdhër dhe cilat programe, shtete, organizata joqeveritare dhe organizata ndërkombëtare do të prekeshin nga ky vendim.
Ishte gjithashtu e paqartë se cilat fonde mund të ndërpriten, duke e marrë parasysh faktin që Kongresi e cakton buxhetin qeveritar federal të ShBA-së.
Urdhri ekzekutiv i ngjan rikthimit te qasja që Trumpi e kishte marrë gjatë mandatit të parë si president nga viti 2017 deri më 2021.
Ai fillimisht kishte ardhur në pushtet duke propozuar zvogëlim për rreth një të tretën e buxheteve amerikane për diplomaci dhe ndihma, ku përfshihej pakësimi i fondeve për organizata ndërkombëtare dhe ato paqëruajtëse të OKB-së. Megjithatë, Kongresi i kishte sprapsur propozimet e Trumpit.
Pastaj, në një tubim vjetor të udhëheqësve botërorë në Kombet e Bashkuara më 2018, Trumpi ishte ankuar se ShBA-ja ishte donatorja më e madhe e ndihmave të huaja, “por pak na japin neve ndonjë gjë”.