Trumpi i kërcënon me taksë 100 për qind vendet e BRICS-it, nëse i krijojnë rival dollarit - NACIONALE

Trumpi i kërcënon me taksë 100 për qind vendet e BRICS-it, nëse i krijojnë rival dollarit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj bllokut BRICS me nëntë shtete, nëse ato krijojnë një valutë rivale ndaj dollarit amerikan.

“Ideja që shtetet e BRICS-it po mundohen të largohen nga dollari, ndërsa ne qëndrojmë duarkryq dhe shikojmë, ka marrë fund” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.

Fuqi botërore si Kina e Rusia janë pjesë e aleancës BRICS, bashkë me Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut, Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton televizioni BBC.

Para zgjedhjeve presidenciale, Trumpi ka bërë fushatë me premtimin se do të zbatojë taksa të gjera. Ai i ka përshkallëzuar kërcënimet me taksa ditëve të fundit dhe i ka përfshirë edhe Kinën e dy fqinjët e ShBA-së, Kanadanë e Meksikën.

Politikanë të rëndësishëm në Brazil dhe Rusi e kanë sugjeruar themelimin e një valute të BRICS-it për ta zvogëluar mbizotërimin e dollarit amerikan në tregtinë globale. Megjithatë, mosmarrëveshjet e brendshme e kanë ngadalësuar përparimin e mundshëm të këtij plani.

“Ne kërkojmë një zotim nga këto shtete se ato as nuk do të krijojnë një valutë të BRICS-it, as nuk do ta përkrahin zëvendësimin e dollarit të fuqishëm amerikan me ndonjë valutë tjetër, ose do të ballafaqohen me 100 për qind taksa dhe duhet të presin që t’i thonë mirupafshim shitjes në ekonominë e mrekullueshme të ShBA-së” – shkroi Trumpi në rrjetin e tij social.

Të premten, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, bëri një vizitë të paplanifikuar për në Florida, mësa duket për ta shmangur taksën e mundshme prej 25 për qind ndaj mallrave kanadeze që hyjnë në ShBA, siç ka kërcënuar presidenti i zgjedhur amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme