Trumpi e zgjedh për sekretar të Mbrojtjes majorin e Gardës Kombëtare, Pete Hegseth
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka nominuar majorin e Gardës Kombëtare, Pete Hegseth, për sekretar të Mbrojtes të ShBA-së.
Përderisa disa ligjvënës republikanë kishin reagim të heshtur ndaj këtij njoftimi, të tjerë e quajtën pasuri përvojën e tij ushtarake ose thanë se ai është “jashtëzakonisht i aftë”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Përzgjedhja e Hegesth-it mund të sjellë ndryshime të mëdha në ushtrinë amerikane, pasi ka bërë të qartë në emsionin e tij në televizionin “Fox News” dhe në intervista se, njësoj si Trumpi, është kundër disa programeve që i promovojnë barazinë dhe gjithëpërfshirjen. Ai gjithashtu e ka vënë në pikëpyetje rolin e grave në luftime dhe e ka mbrojtur faljen e ushtarëve të akuzuar për krime lufte.
Si konservator i palëkundur që i mbështet politikat e Trumpit “Amerika së Pari”, 44-vjeçari ka bërë shtytje që ushtria të bëhet më vdekjeprurëse. Gjatë një interviste, ai kishte thënë se lejimi i grave që të shërbejnë në luftime e dëmton këtë përpjekje.
“Gjithçka rreth shërbimit të përbashkët të burrave dhe grave e bën situatën më të ndërlikuar, dhe ndërlikimi në luftime, kjo nënkupton që pasojat në njerëz janë më të këqija” – tha Hegseth-i.
Si emra të tjerë për pozitën e kreut të Pentagonit ishin përmendur republikani Mike Rogers, gjenerali i pensionuar, Keith Kellog, dhe senatorja Joni Ernst.
Pas diplomimin në Pricneton më 2003, Hegseth ishte bërë oficer këmbësorie në Gardën Kombëtare të Minesotës. Më 2004, njësiti i tij ishte thirrur për t’u vendosur në Bazën Detare të Guantanamos, ku ai kishte shërbyer si udhëheqës toge i këmbësorisë me Gardën Kombëtare të Minesotës.
Njësiti i tij ishte nën kontrollin operacional të Batalionit të Tretë. Pak pas kthimit nga Kuba, ai kishte shërbyer si vullnetar në Bagdad dhe Samarra. Gjatë shërbimit në Irak, ai u shpërblye me Medaljen e Yllit të Bronztë dhe me Distinktivin e Ushtarakut Këmbësor Luftarak.
Ai u rikthye në detyrë aktive më 2012 si kapiten. U dislokua në Afganistan si pjesë e Gardës Kombëtare të Minesotës dhe veproi si instruktor i lartë kundër kryengritjeve në një qendër trajnimesh në Kabul./Nacionale