Trumpi e shkarkon kryeprokuroren e ShBA-së, Pam Bondi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka larguar nga pozita kryeprokuroren e vendit, Pam Bondi, tha të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pas zemërimit në rritje me performancën e saj, përfshirë trajtimin e dosjeve hetuese të lidhura me financierin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Thuhet se Trumpi ishte zemëruar edhe për shkak se Bondi nuk po lëvizte mjaftueshëm shpejt për t’i ndjekur penalisht kritikët dhe kundërshtarët për të cilët presidenti donte që të ballafaqoheshin me akuza penale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, Trumpi e çmoi zonjën Bondi si “patriote të madhe amerikane dhe mike besnike” dhe tha se ajo do të marrë një pozitë në sektorin privat. Trumpi tha se zëvendëskryeprokurori Todd Blanche, ish-avokati i tij personal, do ta drejtojë Departamentin e Drejtësisë përkohësisht.
Gjatë mandatit të saj si zyrtarja më e lartë e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, Bondi ka qenë mbrojtëse e ashpër e agjendës së Trumpit dhe e ka rrëzuar traditën e vjetër të Departamentit të Drejtësisë për pavarësi nga Shtëpia e Bardhë në hetimet e veta.
Megjithatë, ishin kritikat e përsëritura rreth dosjeve të Epsteinit, përfshirë disa nga aleatët e Trumpit dhe disa ligjvënës republikanë, ato që mbizotëruan gjatë mandatit të saj. Bondi është akuzuar për mbulimin ose keqmenaxhimin e publikimit të të dhënave rreth hetimeve për trafikim seksual nga Departamenti i Drejtësisë kundër Epsteinit, financiar që kishte lidhje me një varg figurash të pasura e të fuqishme.