Trumpi e quan “qesharake” partinë e re të Elon Muskut
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ish-aleatin e tij të ngushtë, Elon Musk, për planin e tij multimiliardësh për themelimin e një partie të re politike.
“Mendoj se është qesharake që të nisësh një parti të tretë” – tha Trumpi duke folur të dielën para gazetarëve para se të hipte në aeroplanin presidencial “Air Force One”. “Gjithmonë ka qenë sistem me dy parti dhe mendoj se fillimi i një partie të tretë vetëm e shton hutinë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton televizioni BBC.
Pas testimit të kësaj ideje për disa javë, Musku tha në rrjetin X në fundjavë se do ta themelojë Partinë Amerikane për ta sfiduar “uni-partinë” republikane dhe demokrate.
Trumpi dhe Musku dikur ishin aleatë të ngushtë. Shefi i kompanisë “Tesla” e drejtonte Departamentin e Efiçiencës Qeveritare, i cili e ka për detyrë zvogëlimin e shpenzimeve federale.
Musku në mënyrë të përsëritur i ka kritikuar politikat qeveritare me të cilat rritet borxhi shtetëror i ShBA-së.
Të dielën, ai tha se përderisa partia e re mund të mbështesë një kandidat presidencial në një pikë të caktuar, “fokusi për 12 muajt e ardhshëm është në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat”.
Trumpi gjithashtu shkroi në rrjetin “Truth Social” të dielën”, duke thënë: “Jam i pikëlluar që po e shoh Elon Muskun duke dalë tërësisht jashtë binarëve, në thelb duke u bërë gërmadhë treni gjatë pesë javëve të fundit.”/Nacionale