Trumpi e përmend faljen e djalit të Bidenit në kërkesën për ta hedhur poshtë rastin kundër tij
Avokatët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, kanë paraqitur dokumente në përpjekje për ta hedhur poshtë rastin kundër tij që ka të bëjë me akuzën për dhurimin e parave që një dëshmitare të mos flasë. Ata e kanë përmendur si argument vendimin e presidentit në largim, Joe Biden, për ta falur të birin e vet, Hunter.
“Dje, përmes lëshimit të një faljeje 10-vjeçare për Hunter Bidenin, që mbulon çfarëdo dhe të gjitha krimet, qoftë i ngarkuar me aktakuzë apo jo, presidenti Biden pohoi se biri i tij ishte “i ndjekur penalisht në mënyrë selektive dhe të padrejtë” dhe “i trajtuar ndryshe”, thanë avokatët e Trumpit në dokumentet e paraqitura të hënën, por të cilat nuk u bënë publike deri të martën pasdite, raporton gazeta “The Guardian”.
“Presidenti Biden argumentoi se “politika e zhvoshkur e ka infektuar këtë proces dhe kjo çoi në dështimin e drejtësisë” – shtoi ekipi i republikanit miliarder.
Avokatët pretenduan se që nga ardhja në pozitë e prokurorit të distriktit në Manhattan, Alvin Bragg, i cili e ka udhëhequr rastin kundër Trumpit, ai e ka kryer “saktësisht llojin e teatrit politik që presidenti Biden e ka dënuar” në rastin kundër Trumpit.
“Siç tha presidenti Biden dje, mjaft është mjaft” – thuhet në dokumentet e paraqitura nga avokatët e Trumpit.
Shumë prej argumenteve të përtërira të Trumpit për ta hedhur poshtë rastin ngjajnë me ato të mëhershme që rasti është i motivuar politikisht, duke e përshkruar procesin si “kryqëzatë antikushtetuese”.
Prokurorët në Manhattan kanë argumentuar kundër hedhjes poshtë të rastit në dokumente të dorëzuara më herët në gjykatë dhe kanë sugjeruar një zgjidhje që do të mënjanonte çfarëdo shqetësimi për pengimin e presidencës së Trumpit./Nacionale