Trumpi e përjashton mundësinë për një debat tjetër me Harrisin - NACIONALE

Trumpi e përjashton mundësinë për një debat tjetër me Harrisin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, e ka përjashtuar mundësinë për një debat tjetër me rivalen demokrate, Kamala Harris, para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Ai tha të enjten – dy ditë pas debatit të parë të dy rivalëve në Filadelfia – se Harrisi po do debat të ri, sepse ai “qartazi” e fitoi të parin, raporton televizioni BBC.

Disa anketa të shpejta, që u zhvilluan pas debatit të së martës, treguan se votuesit mendonin që zonja Harris kishte performuar më mirë se ish-presidenti.

Trumpi shtoi se Harrisi, në vend të një debati të ri me të, duhet të “përqendrohet” në punën e saj si nënpresidente në administratën e presidentit të tanishëm, Joe Biden.

Pak më vonë, në një tubim fushate në Karolinë të Veriut, Harrisi u kundërpërgjigj duke thënë se dy kandidatët ua kanë votuesve “borxh” një debat tjetër, sepse “ajo që është në pyetje nuk mund të jetë më e rëndësishme”.

Sipas sondazheve, Trumpi dhe Harrisi janë në një garë tepër të ngushtë, kur kanë mbetur më pak se dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve.

Të dy pretenduan se e kishin fituar debatin e së martës pas ballafaqimit në televizionin “ABC News”, gjatë të cilit zonja Harris e goditi Trumpin me një varg të sulmeve personale, duke e detyruar miliarderin që të vihej në mbrojtje.

Trumpi dhe mbështetësit e tij i kanë akuzuar dy gazetarët që ua shtruan pyetjet kandidatëve se sihin të padrejtë dhe të anshëm në favor të Harrisit. Republikani tha të enjten se nuk kishte nevojë për një debat tjetër.

“Kur një luftëtar për titull humb një luftë, fjalët e para nga goja e tij janë “dua rindeshje”. Anketat tregojnë qartazi se unë e fitova debatin kundër shoqes Kamala Harris, kandidates së të majtës radikale të demokratëve… dhe ajo menjëherë bëri thirrje për debat të dytë” – shkroi Trumpi në rrjetin “Trush Social”.

Lajme të ngjashme