Trumpi e përfshin koston për trupat amerikane në bisedimet rreth taksave me aleatët aziatikë - NACIONALE

Trumpi e përfshin koston për trupat amerikane në bisedimet rreth taksave me aleatët aziatikë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dhjetëra mijëra trupat amerikane që janë të vendosura në Korenë e Jugut dhe Japoni duket se do të jenë pjesë e bisedimeve rreth taksave të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, pavarësisht nga përpjekjet e dy shteteve aziatike që t’i ndajnë bisedimet për sigurinë nga tregtia.

Në një shkrim të publikuar në platformën “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ndarja e kostove të mbrojtjes do të jetë pjesë e bisedimeve për “blerje me një ndalje” me Korenë e Jugut dhe e ngriti çështjen e barrës së mbrojtjes edhe gjatë një vizite të zyrtarëve japonezë në Uashington këtë javë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Japoni ndodhen rreth 5 mijë trupa amerikane, ndërsa në Korenë e Jugut 28 mijë e 500 të tjerë. Të dyja shtetet mbështeten tek ombrella bërthamore e ShBA-së për mbrojtje kundër Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut, dhe shihen si jetike për aftësinë e ushtrisë amerikane për t’i paraqitur fuqinë dhe ndikimin në rajon.

Të mërkurën, zëvendësministri i parë i Punëve të Jashtme i Koresë së Jugut, Kim Hong-kyun, tha para deputetëve koreanë se përderisa Uashingtoni nuk e ka propozuar formalisht rinegocimin e Marrëveshjes për Masa Speciale, sipas së cilës trupat amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut, Seuli është duke u përgatitur për skenarë të ndryshëm.

Ministri i Financave i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, tha këtë javë se ndarja e kostos nuk është temë për rishikim.

Japonia e sheh çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes si të ndarë nga taksat, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar qeveritar. “Këto fillimisht janë çështje të ndara” – tha ai, duke sugjeruar që kostot e mbrojtjes nuk duhet të jenë pjesë e bisedimeve rreth taksave.

Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së i drejtuan pyetjet te Shtëpia e Bardhë, e cila nuk u përgjigj.

Rihapja e bisedimeve të mbrojtjes është “taktikë e qëllimshme presioni” nga Trumpi, tha Danny Russen nga Instituti për Politika Shoqërore të Azisë.

“Trumpi ka bërë të qartë se ai i sheh marrëdhëniet e aleancave si transaksionale dhe është i vendosur që të nxjerrë një shpagim ekonomik që është i krahasueshëm me vlerën e ombrellës amerikane të mbrojtjes” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme