Trumpi e paralajmëron samitin “historik” Armeni – Azerbajxhan në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se të premten do t’i presë në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit për atë që e quajti “Samit Historik të Paqes” me qëllim të përfundimit të armiqësive dekadëshe mes dy ish-republikave sovjetike.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dhe presidenti azer, Ilham Aliyev, “do të më bashkohen mua në Shtëpinë e Bardhë për një ceremoni të nënshkrimit të paqes”, shkroi Trumpi të enjten në rrrjetin “Truth Social”, raporton gazeta “The Guardian”.
Armike me dekada, këto dy shtete kanë zhvilluar dy luftëra për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, të cilin Azerbajxhani e rimori nën kontroll nga forcat armene gjatë një ofensive të shpejtë më 2023, duke e nxitur eksodin e mbi 100 mijë armenëve etnikë.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar bisedime me qëllim të sigurimit të një zgjidhjeje paqësore, përfshirë një takim muajin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk ishte arritur ndonjë pakt gjithëpërfshirës.
“Këto dy vende kanë qenë në luftë për shumë vjet, duke rezultuar në vdekjen e mijëra njerëzve. Shumë udhëheqës janë munduar që t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani, duke i falënderuar “TRUMP”-it” – shkroi më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se ai është “Shumë krenar që këta udhëheqës të guximshëm po e bëjnë gjënë e duhur”.
Presidenti amerikan, i cili është shprehur i bundur se përpjekjet e tij për ndërmjetësim në konflikte ndërkombëtare e meritojnë Çmimin Nobel për Paqe, shtoi se Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe “me të dyja vendet për të ndekur mundësi ekonomike së bashku” që mund ta zhbllokojnë potencialin në rajonin e Kakuzakit Jugor.
Sipas zyrtarëve që biseduan me agjencinë e lajmeve “Associated Press”, me këtë marrëveshje ShBA-së i jepen të drejta për qiradhënie që të zhvillohet një korridor kyç në Kaukazin Jugor, i cili do të emërtohet “Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkomëbtare”.
Ky korridor do ta lidhte Azerbajxhanin me rajonin Nakhchivan, i cili është i ndarë nga territori kryesor i vendit nga një rrip 32-kilometërsh i territorit armen.
Në korridorin transit pritet që të përfshihen një linjë hekurudhore, linja të naftës e gazit dhe linja të fibrave optike, duke e mundësuar qarkullimin e mallrave e përfundimisht edhe të njerëzve. Në marrëveshje nuk kërkohet që ShBA-ja ta paguajë ndërtimin e korridorit transit, por që ai të zhvillohet nga korporata pritave./Nacionale