Trumpi e nis vizitën në Lindje të Mesme me synim marrëveshjet e mëdha ekonomike - NACIONALE

Trumpi e nis vizitën në Lindje të Mesme me synim marrëveshjet e mëdha ekonomike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të arrijë të martën në mëngjes në Arabinë Saudite për të nisur një vizitë 4-ditore në rajonin e Gjirit Persik, udhëtim që do të përqendrohet më shumë në marrëveshje ekonomike se në krizat e sigurisë me të cilat po ballafaqohet rajoni, nga lufta në Gaza te rreziku i përshkallëzimit për shkak të programit bërthamor të Iranit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë fillimisht do ta vizitojë Riadin – ku po mbahet Forumi i Investimeve Saudito-amerikane – dhe do të vazhdojë të mërkurën në Katar e të enjten në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi gjithashtu ka thënë se të enjten mund ta vizitojë edhe Turqinë për bisedime të mundshme sy më sy mes presidentëve Vladimir Putin të Rusisë e Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

Vizita e dytë e Trumpit jashtë vendit që nga rikthimi në pushtet – e para ishte në Romë për funeralin e Papa Françeskut – vjen në një periudhë të tensioneve gjeopolitike. Përpos presionit për ta zgjidhur luftën në Ukrainë, administrata e Trumpit po bën përpjekje edhe për themelimin e një mekanizmi të ri për ndihma për Gazën e rrënuar nga lufta dhe po i bën thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të bëjë një marrëveshje të re armëpushimi.

Gjatë fundjavës, negociatorët amerikanë e iranianë u takuan në Oman për të diskutuar rreth një pakti të mundshëm që do ta kufizonte programin bërthamor të Iranit. Trumpi ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit, nëse diplomacia dështon.

Megjithatë – lënë anash udhëtimin në Turqi – këto çështje nuk janë në fokus të vizitave të Trumpit në Lindjen e Mesme sipas orarit të tanishëm.

Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të njoftojnë potencialisht triliona dollarë investime. Arabia Saudite në janar u zotua për 600 miliardë dollarë investime në ShBA gjatë katër viteve të ardhshme, por Trumpi ka thënë se do të kërkojë që kjo shifër të shkojë në 1 trilion.

Bashkë me Trumpin, pjesë e vizitave do të jenë edhe sekretari i Shtetit e këshilltari për siguri kombëtare, Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, miliarderi Elon Musk si dhe shefat ekzekutiv të kompanive “BlackRock” e “Citigroup”, Larry Fink e Jane Fraser.

Gjatë vizitës në Riad, presidenti amerikan pritet t’i ofrojë Arabisë Saudite një pako armësh me vlerë dukshëm mbi 100 miliardë dollarë, i kanë thënë burimet agjencisë “Reuters”. Në këtë pako mund të përfshihen një varg armësh të avancuara, përfshirë aeroplanët transportues C-130.

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite pritet që ta shmangin në tërësi temën e normalizimit të marrëdhënieve të Riadit me Izraelin, i thanë burimet agjencisë “Reuters”, edhe pse ky është qëllimi më i fortë gjeopolitik i Trumpit në rajon./Nacionale

Lajme të ngjashme