Trumpi e nënshkruan pezullimin e përkohshëm të mbylljes së TikTokut - NACIONALE

Trumpi e nënshkruan pezullimin e përkohshëm të mbylljes së TikTokut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin aplikacionit të famshëm TikTok i jepet afat prej 75 ditësh për të zbatuar një ligj me të cilin kërkohet shitja, në të kundërtën platforma mbyllet.

Trumpi tha se gjatë kësaj periudhe të përkohshme, Shtetet e Bashkuara nuk do ta zbatojnë ligjin e miratuar nga Kongresi vitin e kaluar dhe të nënshkruar nga tashmë ish-presidenti Joe Biden, raporton televizioni BBC.

Ky urdhër ishte në mesin e një vargu të veprimeve ekzekutive që Trumpi i nënshkroi të hënën në mbrëmje. Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, Trumpi tha: “Po ju them diçka, secili person i pasur më ka telefonuar për TikTokun.”

Trumpi gjithashtu tha se taksat e reja të mundshme tregtare ndaj Kinës mund të varen nga një marrëveshje për pronësinë e TikTokut. Nëse Pekini do të refuzonte një marrëveshje, “ky do të ishte disi akt armiqësor”, tha presidenti.

Të shtunën në mbrëmje, aplikacioni në pronësi kineze pushoi së funksionuari për përdoruesit amerikanë pas hyrjes në fuqi të një ligji që e ndalon atë me arsye ku përmendet shqetësimi për sigurinë kombëtare.

Sidoqoftë, aplikacioni u rikthye te 170 milionë përdoruesit në ShBA, pasi Trumpi tha se do të lëshonte një urdhër ekzekutiv me të cilin do t’i ofrohej një pezullim i përkohshëm i ndalimit.

Lajme të ngjashme