Trumpi e kërcënon Brazilin me taksë 50 për qind, kërkon që të përfundojë gjyqi ndaj Bolsonaros
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se po planifikon që t’u vendosë taksë prej 50 për qind mallrave të prodhuara në Brazil, duke e përshkallëzuar luftën e tij me shtetin e madh të Amerikës së Jugut.
Ai e njoftoi këtë plan në letrën më të re për taksat, e cila u publikua në rrjete sociale. Në të, Trumpi e akuzon Brazilin për “sulme” ndaj kompanive amerikane të teknologjisë dhe për “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit Brazilian të së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, i cili po ballafaqohet me proces gjyqësor në lidhje me dyshimet për rolin e tij në një komplot për zhbërjen e zgjedhjeve të vitit 2022, raporton televizioni BBC.
Trumpi u përplas më herët këtë javë më presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, për gjykimin e Bolsonaros. Lula atëherë tha se Brazili nuk do të pranojë “ndërhyrje” nga askush, duke shtuar: “Askush nuk është mbi ligjin.”
Gjithashtu të mërkurën, Trumpi tha se një taksë prej 50 për qind ndaj importeve të bakrit, të cilën ai e njoftoi më herët këtë javë, do të hyjë në fuqi më 1 gusht.
Presidenti amerikan tha në një shkrim në rrjete sociale se vendimi është marrë për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Trumpi këtë javë publikoi 22 letra që u dërgoi udhëheqësve të shteteve në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë partnerët tregtarë si Japonia, Koreja e Jugut e Sri-Lanka, duke përvijuar taksa të reja ndaj mallrave të tyre, për të cilat thotë se do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ndryshe nga rastet me shumë shtete të tjera, Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar shënuan bilanz pozitiv tregtar me Brazilin, duke shituar më shumë sesa duke blerë nga ky vend.
Në letër, Trumpi tha se taksa prej 50 për qind ndaj Brazilit është “e nevojshme… për t’i korrigjuar padrejtësitë e rënda të regjimit aktual”./Nacionale