Trumpi duket se i vendos Putinit afat dyjavor për Ukrainën - NACIONALE

Trumpi duket se i vendos Putinit afat dyjavor për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, është dukur sikur i ka vendosur një afat dyjavor homologut rus, Vladimir Putin, për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë, duke kërcënuar me një kundërpërgjigje tjetër, nëse kreu i Kremlinit vazhdon ende ta hutojë Shtëpinë e Bardhë.

Përderisa Moska i përshkallëzoi sulmet e saj ndaj Ukrainës, Trumpi u pyet në Zyrën Ovale të mërkurën nëse mendon që Putini dëshiron t’i japë fund luftës, raporton televizioni BBC.

“Nuk mund t’jua them këtë, por do t’ju tregoj pas rreth dy javëve” – tha presidenti amerikan para gazetarëve. Kjo ishte më e reja në mesin e një vargu të kritikave publike që Trumpi ia ka bërë presidentit rus.

Nga e diela, ai ka publikuar disa shkrime në rrjete sociale duke thënë se Putini “absolutisht është çmendur” dhe “është duke luar me zjarr”, pasi Rusia i shpeshtoi sulmet ndaj Ukrainës.

Bombardimet e Rusisë thuhet se janë disa nga më të mëdhatë dhe më vdekjeprurëset që nga fillimi i luftës, e cila tani është në vitin e katërt.

Nga sulmet ruse në kryeqytetin Kiev të Ukrainës u vranë 13 njerëz e u lënduan dhjetëra të tjera, përfshirë disa fëmijë, gjatë fundjavës që shkoi. Të mërkurën, sulmet nuk shfaqën shenja ngadalësimi.

Në komentet e tij për përshkallëzimin e dhunës dhe për atë nëse mendon që Putini është serioz rreth përfundimit të luftës, Trumpi tha: “Do t’ju tregoj pas rreth dy javëve. Brenda dy javëve. Ne do të marrim vesh nëse ai është duke na hutuar apo jo, e nëse është, ne do të kundërpërgjigjemi pak më ndryshe.”

Këto komente janë shenjë e zemërimit në rritje të presidentit amerikan, përderisa përpjekjet e përsëritura të Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një marrëveshje mes Rusisë e Ukrainës duken gjithnjë më të kota.

Këtu përfshihet edhe një bisedime telefonike e zhvilluar rishtazi mes Trumpit e Putinit, pas së cilës presidenti amerikan tha se diskutimet shkuan “shumë mirë”.

Në anën tjetër, Putini tha se është i gatshëm që të punojë me Ukrainën për një “memorandum rreth një marrëveshjeje të mundshme të paqes në të ardhmen”.

Telefonata mes dy presidentëve u zhvillua një javë para se Rusia të lëshonte qindra dronë e dhjetëra raketa drejt kryeqytetit të Ukrainës, sipas forcave ajrore ukrainase. Memorandumi nuk është paraqitur akoma nga Moska.

Deri më tani, kërcënimet e presidentit amerikan nuk duket se e kanë shqetësuar Rusinë mjaftueshëm sa për t’u dorëzuar para kërkesave të tij. Trumpi në të kaluarën nuk e ka mbajtur fjalën, kur ka bërë kërcënime të tilla./Nacionale

Lajme të ngjashme