Trumpi do të përgatisë qendër ndalimi në Guantanoamo për 30.000 emigrantë - NACIONALE

Trumpi do të përgatisë qendër ndalimi në Guantanoamo për 30.000 emigrantë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se do t’i urdhërojë Pentagonin dhe Departamentin e Sigurisë së Atdheut për të përgatitur një qendër për ndalimin e emigrantëve në Gjirin e Guantanamos për 30 mijë emigrantë.

Baza detare amerikane në Guantanamo tashmë ka një objekt për emigrantë – i ndarë nga burgu amerikan i sigurisë së lartë për të dyshuarit e huaj për terrorizëm – që është përdorur me raste me dekada, përfshirë mbajtjen e shtetasve të Haitit e Kubës të kapur në det, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shefi i Trumpit për kufij, Tom Homan, tha më vonë të mërkurën se administrata amerikane do ta zgjerojë qendrën ekzistuese dhe se agjencia Zbatuese për Migracion dhe Dogana do ta menaxhojë atë.

“Sot unë gjithashtu do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për t’i udhëzuar Departamentet e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Atdheut për ta filluar përgatitjen e qendrës për emigrantë për 30 mijë persona në Gjirin e Guantanamos” – tha Trumpi në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas tij, kjo qendër do të shfrytëzohet për t’i “ndaluar të huajt e paligjshëm kriminelë më të këqij që e rrezikojnë popullin amerikan”. “Disa prej tyre janë aq të këqij, saqë ne nuk u besojmë as shteteve për t’i mbajtur ata, sepse nuk duam që ata të kthehen, prandaj do t’i dërgojmë në Guantanamo. Kjo do ta dyfishojë kapacitetin tonë menjëherë, apo? Dhe fort” – shtoi presidenti amerikan.

Pak më vonë, Trumpi nënshkroi një memorandum, ku nuk përmendej një numër emigrantësh, por bëhet thirrje për “hapësirë ndalimi shtesë” në qendrën e zgjeruar.

Duke folur me gazetarë të mërkurën, Homani tha se kjo qendër do të përdoret për “më të këqijtë e të këqinjve”.

Qendra e ndalimit në Gjirin e Guantanamos është ndërtuar në vitin 2002 nga presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush, për të ndaluar të dyshuar të huaj militantë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara. Në këtë burg kanë mbetur vetëm edhe 15 të ndaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme