Trumpi aktivizon kompetenca emergjente për ta rritur prodhimin e mineraleve kritike - NACIONALE

Trumpi aktivizon kompetenca emergjente për ta rritur prodhimin e mineraleve kritike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vënë në fuqi kompetenca të jashtëzakonshme për ta shtuar prodhimin vendës të mineraleve kritike, përderisa po mundohet që ta zvogëlojë varësinë e ShBA-së nga importet prej shteteve si Kina.

Urdhri ekzekutiv, i cili shfrytëzon legjislacion të periudhës së Luftës së Ftohtë, udhëzon agjenci qeveritare, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes, që t’i bëjnë prioritet projektet e minierave si dhe ofrimin e mbështetjes teknike dhe financiare për rritjen e prodhimit të mineraleve kritike, raporton televizioni BBC.

Kjo masë vjen në kohën e eskalimit të një lufte tregtare me Kinën, e cila ka kontroll dërrmues mbi zinxhirin furnizues të disa mineraleve kritike.

Vitin e kaluar, Pekini e ndaloi shitjen e disa mineraleve kritike në ShBA, duke i detyruar kompanitë amerikane që të kërkonin burime të tjera të lëndëve jetike.

“Siguria jonë kombëtare dhe ekonomike tani është e rrezikuar në mënyrë akute nga varësia jonë nga prodhimi minerar i fuqive të huaja armiqësore” – thuhet në urdhrin ekzekutiv, përcjell gazeta "Nacionale".

“Është urgjente për sigurinë tonë kombëtare që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprim të menjëhershëm për ta lehtësuar prodhimin minerar vendës në nivelin maksimal të mundshëm” – thuhet më tej në urdhër.

Urdhri gjithashtu bën thirrje për përshpejtimin e lejeve për mihje dhe për procesim të projekteve si dhe e udhëzon Departamentin e Punëve të Brendshme të ShBA-së që ta bëjë prioritet prodhimin minerar në toka federale.

Edhe pse ka rezerva të disa mineraleve kritike, ShBA-ja varet shumë nga shtete të tjera për furnizimin me to. Taksat e Trumpit ndaj një game të gjerë importesh kanë nxitur tensione tregtare me disa nga furnizuesit kryesorë si Kina e Kanadaja.

Mineralet kritike janë jetike për prodhimin në fusha kyçe të teknologjisë, nga bateritë deri të sistemet e avancuara të armëve.

Presidenti amerikan gjithashtu ka qenë i interesuar për të siguruar qasje në mineralet kritike të Ukrainës. Ai tha të enjten se një marrëveshje për këtë çështje do të nënshkruhet “shumë shpejt”./Nacionale

Lajme të ngjashme