Trump paralajmëron sanksione të reja, edhe më të ashpra, ndaj Rusisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar Rusinë me sanksione të reja gjatë së premtes.
Siç raporton “CNN”, Trump ka kërcënuar me sanksione të reja duke përfshirë edhe në sektorin bankar, si përgjigje kjo ndaj bombardimeve të vazhdueshme të Moskës ndaj Ukrainës, një paralajmërim ky domethënës derisa ai kërkon t’i jepet fund konfliktit, transmeton Nacionale.
Kërcënimi i ri vjen pas disa javësh ku Trump dha disa deklarata “pajtuese” ndaj Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin, duke përfshirë këtu qëndrimin se ishte i hapur ndaj heqjes së sanksioneve.
Tani, Trump ka thënë se mund të vendosë sanksione të reja, edhe më të ashpra, ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
“Bazuar në faktin se Rusia po “godet” absolutisht Ukrainën në fushën e betejës tani, unë jam duke konsideruar fuqishëm sanksione bankare në shkallë të gjerë, sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e paqes” - shkroi Trump në Truth Social.
“Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni në tryezë tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit!!!” – ka thënë ai.
Një deklaratë e tillë vjen fiks një javë pas përplasjes para kamerave mes Trump, zëvendëspresidentit të tij, JD Vance dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Dje ndërkaq, presidenti ukrainas tha se negociatorët ukrainas do të takohen me zyrtarë amerikanë në Arabinë Saudite javën e ardhshme.
"Të hënën e ardhshme, kam planifikuar një vizitë në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës. Pas kësaj, ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët tanë amerikanë” – u shpreh Zelensky.