Trump: Do t’i shesim aeroplanë F-35 Arabisë Saudite
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se ai planifikon që ta miratojë shitjen e aeroplanëve luftarakë amerikanë të tipit F-35 në Arabinë Saudite, duke folur një ditë para se ta presë në Shtëpinë e Bardhë princin saudit, Mohammed bin Salman.
“Unë do të them se ne do ta bëjmë atë. Do të shesim aeroplanë F-35” – tha presidenti amerikan para gazetarëve në Zyrën Ovale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shitja e këtyre aeroplanëve do të shënonte një ndryshim domethënës të politikave, potencialisht duke e ndryshuar baraspeshën ushtarake në Lindjen e Mesme dhe duke e testuar definicionin e Uashingtonit për mbajtjen e “epërsisë ushtarake cilësore” të Izraelit.
Arabia Saudite ka kërkuar që të blejë 48 aeroplanë F-35, marrëveshje e mundshme multimiliardëshe që tashmë ka tejkaluar një pengesë kyçe në Pentagon para vizitës së Bin Salmanit.
Sauditët kanë qenë të interesuar për një kohë të gjatë për aeroplanët F-35. Para se të fliste Trumpi, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë “Reuters” se presidenti dëshiron të flasë me princin saudit për këta aeroplanë, “pastaj ne do të bëjmë një përcaktim”.