Tri ditë para largimit, Bideni ua lehtëson dënimet rreth 2.500 të dënuarve jo të dhunshëm për drogë - NACIONALE

Tri ditë para largimit, Bideni ua lehtëson dënimet rreth 2.500 të dënuarve jo të dhunshëm për drogë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do t’ua lehtësojë dënimet rreth 2.500 njerëzve të dënuar për shkelje jo të dhunshme rreth substancave narkotike, tri ditë para se të largohet nga pushteti.

Bideni tha se shkelësit “po vuajnë dënime të gjata në mënyrë joproporcionale në krahasim me dënimet që ata do t’i merrnin sot sipas ligjeve, politikave dhe praktikave aktuale” dhe se veprimi i tij do t’i korrigjojë “gabimet historike”, raporton televizioni BBC.

Në një njoftim të publikuar të premten, Bideni tha se ai tani kishte lëshuar më shumë vendime për falje dhe lehtësim dënimesh “se cilido president tjetër në historinë e ShBA-së”.

Lajmi vjen pasi presidenti demokrat në largim ua lehtësoi dënimet 37 prej 40 të dënuarve me vdekje dhe lëshoi një valë vendimesh të tjera për falje e lehtësime dënimesh në dhjetor, përfshirë të për të birin e vet, Hunter Biden.

Vendimi për ta falur të birin kishte nxitur shumë reagime në ShBA. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, e ka shfrytëzuar këtë vendim për të sugjeruar se ai mund t’i falë të dënuarit për kryengritjen e 6 janarit të vitit 2021 në Capitol.

Lajme të ngjashme