Tre të vrarë nga të shtënat në Universitetin e Nevadës në ShBA
Policia amerikane ka thënë se tre persona janë vrarë nga të shtënat në kampusin e Universitetit të Nevadës në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të mërkurën në mëngjes.
Forcat e sigurisë e goditën dhe e vranë të dyshuarin gjatë një ballafaqimi. Emri i tij nuk është publikuar, raporton televizioni BBC.
Një person i plagosur mbetet në gjendje kritike në një spital lokal, thuhet në deklaratën e policisë lokale.
Burimet brenda organeve të sigurisë e përshkruan sulmuesin si ish-profesor universiteti në të gjashtëdhjetat. Ai kishte dhënë mësim në Georgia dhe Karolinë të Veriut.
Universiteti fillimisht tha rreth mesditës se policia ishte duke iu përgjigjur raportimeve për të shtëna në kampus.
Rreth 20 minuta më vonë, universiteti tha se policia e kampusit ishte duke iu përgjigjur një raportimi shtesë për të shtëna afër ndërtesës së Unionit Studentor.
Adam Garcia, komandant i policisë së universitetit, tha se dy policë të kampusit u përfshinë në ballafaqimin me të dyshuarin para se ai të vritej.
Një i plagosur është në gjendje stabile në një spital lokal, tha policia në një konferencë për gazetarë të mërkurën në mbrëmje. Katër persona të tjerë u dërguan në spital, gjithashtu, për sulme paniku dhe dy policë u trajtuan për lëndime të lehta.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Lëndëve Shpërthyese po e ndihmojnë policinë lokale për ta hetuar rastin.
Kampusi i Universitetit të Nevadës do të jetë i mbyllur të enjten dhe të premten.