Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, thonë mjekët - NACIONALE

Tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, thonë mjekët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm ajror izraelit la të vrarë tre burra palestinezë në Rripin e Gazën, thanë mjekët të hënën, ndërkohë nuk pati shenja për përparim në bisedimet e përtërira për armëpushim.

Mjekët thanë se tre burrat u vranë afër kampit “Bureij”, në pjesën qendrore të enklavës së shkatërruar palestineze nga një raketë e hedhur nga një dron. Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, mjekët thanë se tre persona u plagosën në një sulm tjetër. Banorët e qytetit kanë raportuar për zjarr të shpeshtë nga forcat izraelite në dislokuara në zona ngjitur me kufirin, brenda kufijve të qytetit.

Gjakderdhja e vazhdueshme e nënvizon brishtësinë e marrëveshjes së armëpushimit me tri faza, të arritur mes Izraelit e Hamasit e të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara.

Izraeli dëshiron që ta zgjatë fazën e parë të armëpushimit, propozim i mbështetur nga emisari amerikan, Steve Witkoff. Hamasi thotë se do ta vazhdojë lirimin e pengjeve vetëm sipas fazës së dytë të marrëveshjes, që pritej të fillonte më 2 mars.

“Hamasi e ka respektuar plotësisht marrëveshjen, ndërsa pushtimi (Izraeli) nuk respektoi disa klauzola. Ai synon që ta pengojë marrëveshjen dhe të vendosë kushte të reja” – tha të hënën zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif Al-Qanoua.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të shtunën se negociatorët janë udhëzuar që të jenë të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve duke u bazuar në kundërpërgjigjen e ndërmjetësve ndaj një propozimi të ShBA-së për lirimin e 11 pengjeve të gjalla dhe gjysmën e pengjeve të vdekura./Nacionale

Lajme të ngjashme