Tre të vrarë e nëntë të plagosur nga sulmi ukrainas në Belgorod të Rusisë
Tre njerëz janë vrarë dhe të paktën nëntë të tjerë janë plagosur nga sulmi më i ri i forcave ukrainase ndaj rajonit kufitar rus, Belgorod, sipas guvernatorit Vyacheslav Gladkov.
Nga sulmi u godit fshati MAslova Pristan të mërkurën herët, tha guvernatori rus. Ekipet e shpëtimit ishin duke kërkuar katër njerëz që besohej se kishin mbetur nën rrënoja, raporton televizioni BBC.
Kjo ishte dita e tretë rresht që Ukraina e sulmon rajonin kufitar rus, duke lënë mijëra njerëz pa rrymë dhe të paktën dy të tjerë të vdekur.
Ukraina nuk i ka komentuar sulmet, por në mënyrë të përsëritur ka goditur caqe brenda Rusisë gjatë luftës, përfshirë Belgorodin.
Në anën tjetër, edhe sulmet ruse shkaktuan ndërprerje të rrymës në disa rajona ukrainase, tha rregullatori i energjisë i Ukrainës.
Në Belgorod, Gladkovi tha në rrjetin “Telegram” se nga valët e sulmeve me dronë e raketa u dëmtuan shtëpi, automjete dhe linja të energjisë në disa distrikte të rajonit.
Ukraina e ka rritur shumë numrin e sulmeve kundër rafinerive ruse të naftës muajve të fundit, duke shkaktuar mungesë karburanti e rritje të çmimeve të kësaj lënde në disa pjesë të Rusisë, ka marrë vesh televizioni BBC.
Të paktën 21 nga 38 rafineritë kryesore të Rusisë – ku nafta e papërpunuar shndërrohet në karburant të përdorshëm – janë goditur nga janari i këtij viti./Nacionale