Tre të vrarë e 15 të lënduar nga sulmi rus në një bllok banesor në Kharkiv - NACIONALE

Tre të vrarë e 15 të lënduar nga sulmi rus në një bllok banesor në Kharkiv

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia goditi të martën një bllok banesor në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, duke vrarë të paktën tre persona e duke lënduar 15 të tjerë. Ka frikë se disa njerëz mund të jenë nën rrënoja, thanë autoritetet lokale.

“Njëra nga ndërtesat e larta u godit drejtpërdrejt” – tha në rrjetin “Telegram” guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov. Në pamje të publikuara në rrjete sociale u pa një vrimë në ndërtesë, raporton agjencia “Reuters”.

Kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov, tha në “Telegram” se Rusia kishte sulmuar të paktën katër distrikte pasdite, përfshirë zonën me popullsinë më të dendur në qytet.

Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, dhe rajoni përreth tij rregullisht janë në shënjestër të sulmeve ruse.

Trupat ruse përdorin gjerësisht bomba shumë shkatërruese me drejtim që sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore ka vështirësi për t’i ndalur.

Rusia mohon se vë në shënjestër qëllimisht civilë, edhe pse ka vrarë mijëra sosh që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022.

Lajme të ngjashme