Tre palestinezë vriten në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite i shpeshton operacionet
Forcat izraelite vranë të paktën tre militantë palestinezë gjatë operacioneve të shpeshtuara në Bregun e pushtuar Perëndimor të martën pas vrasjes së tre izraelitëve në një vendbanim hebraik, tha ushtria izraelite.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një 18-vjeçar u vra gjatë natës nga një sulm ajror izraelit në Tamun, qytezë në verilindje të qytetit Nablus, ndërsa një 40-vjeçar u qëllua për vdekje në fshatin Taluza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite tha se pas një përleshjeje me militantët në zonën Tamun, aeroplanët e saj ushtarakë goditën dhe vranë dy luftëtarë. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA, gjithashtu raportoi për një palestinez të vrarë nga një sulm në Tamun.
Më tej, ushtria izraelite tha se një militant tjetër u vra gjatë luftimeve në Taluza dhe disa persona u arrestuan në incidente të ndryshme. Brigadat Al-Qassam të Hamasit konfirmuan se burri i vrarë në Taluza ishte luftëtar i tyre.
Agjencia WAFA raportoi për sulme hakmarrëse nga hebrenjtë ardhacakë, për të cilët tha se i kishin vënë flakën një automjeti gjatë natës dhe kishin sulmuar një fshat palestinez.
Dhuna në Bregun Perëndimor është shpeshtuar paralelisht me luftën mes Izraelit e Hamasit në Gaza, me vrasje nga militantët palestinezë, bastisje e sulme ajrore të shpeshtuara nga ushtria izraelite dhe me rritje të numrit të sulmeve nga ardhacakët hebraikë./Nacionale