Trazirat në Amsterdam, Izraeli ua ndalon të gjithë ushtarëve shkuarjen në Holandë
Tërë personelit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit i është ndaluar shkuarja në Holandë deri në një njoftim tjetër, njoftoi ushtria izraelite pas shpërthimit të dhunës në Amsterdam mes protestuesve pro-palestinezë dhe tifozëve të klubit futbollistik izraelit, Maccabi Tel Aviv.
“Në përputhje me vlerësimin e situatës, është vendosur që t’u ndalohet të gjithë pjesëtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit udhëtimi në Holandë deri në një njoftim të mëtejmë. Kërkesat e jashtëzakonshme do të shqyrtohen veç e veç” – thuhet në njoftimin e ushtrisë në rrjetin X.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është “e indinjuar” nga “sulmet e ulëta” në Amsterdam mbrëmë.
Ajo i dënoi “fuqishëm” sulmet ndaj tifozëve izraelitë dhe ka biseduar me kryeministrin holandez për rastin.
Kryeministri Dick Schoof tha se do t’i diskutojë ato që i cilësoi sulme anti-semite në një takim joformal të Këshillit Evropian të premten në Budapest.
Çfarë ndodhi?
Përkrahësit e klubit izraelit të futbollit, Maccabi Tel Aviv, kishin udhëtuar në Amsterdam për ta shikuar lojën kundër Ajaksit.
Arrestime dhe trazira kishte pasur edhe para ndeshjes, ku ishin përfshirë tifozë të Maccabit dhe protestues pro-palestinezë. Kishte raportime se përkrahësit e klubit izraelit kishin hedhur fishekzjarrë dhe kishin shqyer një flamur palestinez.
Sidoqoftë, përleshja u rrit pas lojës. Policia tha se ishte e paqartë se kush kishte marrë pjesë në trazira, duke u thënë mediave lokale se personat e përfshirë kishin veshur rroba me ngjyrë të errët.
Disa video qarkulluan në rrjete sociale. Në njërën prej tyre, një burrë shihet duke u shqelmuar dhe duke u rrahur në tokë.
Në një video tjetër, një automjet shihet duke goditur një person.
Absolutely horrific scenes in #Amsterdam, with pro-Palestinian mobs literally hunting down and beating Jews on the streets, while Dutch authorities nowhere in sight. And this also on eve of Kristallnacht anniversary. No other way to describe this other than a modern-day pogrom! pic.twitter.com/hfYjyXdJsa
— Arsen Ostrovsky 🎗️ (@Ostrov_A) November 8, 2024