Traktati për oqeanet: Arrihet marrëveshja historike pas negociatave dekadëshe
Kombet e botës e kanë arritur një marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas 10 vitesh negociata.
Traktati i Detit të Hapur e vë 30 për qind të detërave nën zonë të mbrojtur deri në vitin 2030.
Marrëveshja u arrit të shtunën në mbrëmje, pas 38 orësh bisedime, në zyret e OKB-së në New York, raporton BBC.
Negociatat kishin ngecur për vite me radhë pas mosmarrëveshjeve mbi të drejtat e financimit dhe peshkimit.
Marrëveshja e fundit ndërkombëtare mbi mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar para 40 vitesh, më 1982 – Konventa e OKB-së mbi Ligjin e Detit.
Ajo marrëveshje kishte vendosur një zonë të quajtur deti i hapur – ujërat ndërkombëtarë ku të gjitha shtetet kanë të drejta për peshkim, transportim e hulumtim – por vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave është zonë e mbrojtur.
Jeta detare brenda këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, peshkimi i tepërt dhe trafiku i anijeve.
Në një hulumtim të fundit mbi speciet detare, zbulohej se gati 10 për qind e tyre ishin në rrezik që të zhdukeshin.
Traktati i ri vë kufizime mbi sasinë e peshkimit që mund të bëhet, linjave të anijeve dhe aktiviteteve eksploruse.
Dr Robert Blasiak, një hulumtues oqeanesh nga Universiteti i Stokholmit, tha që sfida aktuale ishte se askush nuk e dinte se sa vlejnë resurset e oqeaneve dhe se si mund të ndahen.
“Kjo është ditë historike për mbrojtjen e oqeaneve dhe një shenjë se në një botë të ndarë, mbrojtja e natyrës dhe njerëzve mund të triumfojë mbi gjeopolitikën,” – u shpreh ndërkohë aktivistja e oqeaneve Laura Meller.