Tornado në ShBA, raportohet për të vdekur e të lënduar
Një tornado e fuqishme goditi një qytezë të vogël në Iowa të ShBA-së të martën, duke lënë të vdekur disa persona e të paktën 12 të tjerë të lënduar, thanë autoritetet amerikane.
Në pamjet nga qyteza Greenfield shihen dëme të mëdha materiale, shtëpi të shkatërruara, mbetje të shpërndara gjithandej dhe disa turbina të erës të rrëzuara, raporton agjencia “Reuters”.
"Kjo tornado ka shkatërruar një pjesë të mirë të kësaj qyteze" - tha Rreshter Alex Dinkla, zëdhënës i Patrullës Shtetërore të Iowa-s gjatë një konference për gazetarë në mbrëmje në Greenfield.
“Mund të konfirmojmë se ka fatalitete të shumëfishta në këtë tornado” – shtoi ai, pa ofruar ndonjë shifër të saktësuar të të vdekurve, por tha se numri i viktimave mund të mos ofrohet para të mërkurës.
Dinkla tha se të paktën 12 persona u lënduan nga tornadoja në qytezën me rreth dy mijë banorë. Pasi spitali lokal pësoi dëme nga stuhia, personat e lënduar u desh që të dërgoheshin në qendra shëndetësore të qytezave fqinje.
Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, tha se do ta vizitonte qytezën Greenfield të mërkurën në mëngjes.
“Përderisa është shumë herët për ta ditur ndikimin e plotë të stuhisë, përgjigjet do të vinë në orët dhe ditët në vijim” – tha ajo në një deklaratë.
Guvernatorja më tej premtoi se autoritetet shtetërore do t’i ofrojnë burimet e plota për ta mbështetur rimëkëmbjen e zonave të prekura.
“Kam jetuar këtu tërë jetën time. Vetëm po lutem që secili të jetë i sigurt dhe që askush të mos jetë lënduar. Ishte e frikshme, shumë e frikshme” – tha banorja Valerie Warrior, duke iu referuar stuhisë.