Tkurret ekonomia e Shteteve të Bashkuara
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u tkurr në tremujorin e parë të këtij viti, e prekur nga rrebeshi i mallrave të importuara nga bizneset që u munduan t’i shmangnin kostot më të larta, duke e nënvizuar natyrën penguese të politikave të presidentit Donald Trump rreth taksave.
Prodhimi vendës bruto u zvogëlua për 0,3 për qind, tha të mërkurën Byroja e Analizave Ekonomike e Departamentit të Tregtisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekonomistët e anketuar nga agjencia “Reuters” kishin parashikuar se ekonomia amerikane do të rritej për 0,3 për qind në tremujorin e parë të vitit. Megjithatë, sondazhi kishte konkluduar para publikimit të të dhënave se deficiti tregtar i mallrave ishte rritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në mars për shkak të rekordit të importeve, i cili i kishte shtyrë shumicën e ekonomistëve që ta ulnin parashikimin për rritje ekonomike.
Besimi i konsumatorëve është në nivelin më të ulët në gati pesë vjet dhe atmosfera në sektorin e bizneseve është zbehur. Kompanitë ajrore i kanë tërhequr parashikimet e tyre financiare për vitin 2025, duke e përmendur paqartësinë rreth shpenzimeve për udhëtime joesenciale për shkak të taksave, për të cilën ekonomistët kanë paralajmëruar se do t’i rrisë kostot e kompanive dhe amvisërive.
Inflacioni u rrit në çerekun e fundit dhe pritet të përkeqësohet më tej gjatë vitit. Ekonomistët presin që Rezerva Federale ta rinisë uljen e shkallëve të interesit në një periudhë të caktuar brenda vitit.
Trumpi të martën e zbuti goditjen me taksa ndaj veturave përmes një urdhri ekzekutiv, duke i përzier kreditë me masa lehtësuese nga leva të tjera ndaj pjesëve dhe materialeve.