Thuhet se vetëm 2 – 3 njerëz e dinë vendndodhjen e Sinwar-it, s’do ta shqyrtojë ekzilin - NACIONALE

Thuhet se vetëm 2 – 3 njerëz e dinë vendndodhjen e Sinwar-it, s’do ta shqyrtojë ekzilin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vetëm dy ose tre persona e dinë vendndodhjen e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, i thanë disa burime të grupit gazetës me zyrë në Londër, “Asharq Al-Awsat”.

“Një rreth shumë i vogël i jo më shumë se dy ose tre personave më së shumti e dinë vendndodhjen e tij dhe i sigurojnë nevojat e ndryshme të tij, si dhe e garantojnë komunikimin e tij me udhëheqësit e lëvizjes brenda dhe jashtë” – i tha një burim kësaj gazete, raporton “The Times of Israel”.

“[Izraeli] dështoi që të arrinte të shumë prej udhëheqësve të nivelit të parë dhe të dytë [të Hamasit] në nivele politike dhe ushtarake, por u mundua të vriste disa prej tyre, disa prej të cilëve u lënduan dhe disa prej të cilëve mbijetuan dhe dolën pa u lënduar nga operacionet e bombardimit në zona dhe caqe të ndryshme, por Sinëar-i nuk është në mesin e tyre” – tha burimi.

Në raportimin e gazetës me zyrë në Londër thuhet se burimet nuk saktësuan nëse udhëheqësi i Hamasit është duke u fshehur mbi tokë apo në tunele. Në shkurt, ushtria izraelite kishte publikuar pamje të një personi që thoshte se ishte Sinwar-i duke ecur nëpër një tunel në Gaza me disa prej anëtarëve të familjes më 10 tetor.

Burimet e afërta me Sinwar-in i thanë gazetës se besojnë që udhëheqësi i Hamasit nuk do të shqyrtojë ndonjë marrëveshje që do t’ia siguronte ekzilin.

“Sinwar-i është duke menduar dy opsione, pa opsion të tretë sa të jetë gjallë – ose t’i përmbushë kushtet e rezistencës për ta ndalur luftën, për tërheqjen e forcave pushtuese dhe për përmbylljen e një marrëveshjeje të ndershme të shkëmbimit [të pengjeve me të burgosur], ose ta sigurojë nderin e martirizimit” – tha një burim.

Në të kaluarën është raportuar se Izraeli mund të ishte i hapur për një marrëveshje me të cilën Sinwar-it do t’i ofrohej ekzil nga Rripi i Gazës. Megjithatë, Izraeli më parë është zotuar se të gjithë udhëheqësit e Hamasit në Gaza do të vriten ose do të kapen të gjallë./Nacionale

Lajme të ngjashme