Theret një ushtar francez që po patrullonte në Paris para Lojërave Olimpike
Një ushtar francez u ther afër një stacioni të madh të trenit në Paris të hënën, ndërsa sulmuesi u arrestua, thanë zyrtarët, përderisa kryeqyteti është në gjendje të lartë sigurie 11 ditë para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike.
Ushtari u dërgua në spital me lëndim nga therja në krah, por nuk ishte në rrezik për jetën, ndërsa motivi i sulmit ishte duke u hetuar, tha zyra e prokurorit të Parisit, raporton agjencia “Associated Press”.
Një hetim u hap për vrasje në tentativë dhe identiteti i të dyshuarit po konfirmohej, tha zyra e prokurorit. Autoritetet nuk dyshuan për terrorizmin si motiv në këtë fazë, sipas zyrës së prokurorit kundër terrorizmit.
Ushtari ishte në mesin e mijëra trupave që po shërbejnë në forcën “Sentinelle” për sigurinë e brendshme të vendit, e formuar për të ruajtur zona të rëndësishme pas një vargu të sulmeve ekstremiste më 2015. Ushtarët në forcën “Sentinelle” janë vënë në shënjestër edhe në të kaluarën.
Ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, tha në rrjetin X se ushtari ishte duke patrolluar në stacionin e trenit “Gare de l’Est” në lindje të Parisit dhe se sulmuesi ishte ndaluar.
Parisi do të angazhojë rreth 30 mijë policë në secilën ditë të Lojërave Olimpike, të cilat zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, ndërsa kulmi do të jetë në ditën hapëse në Lumin Sena, kur do të angazhohen 45 mijë oficerë.
Rreth 18 mijë ushtarë gjithashtu po ndihmojnë për ta garantuar sigurinë, përfshirë mijëra që janë strehuar në një kamp të madh special të ngritur në qoshe të Parisit.