“The New York Times”: Irani po përgatitet për luftë me Izraelin
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, ka raportuar se Irani është duke u përgatitur për luftë me Izraelin, por në të njëjtën kohë synon që ta shmangë atë, dhe se hapat e tij të ardhshëm do të përcaktohen nga kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj sulmit raketor të 1 tetorit, korniza e të cilit thuhet se është miratuar ditëve të fundit.
Duke cituar katër zyrtarë iranianë, gazeta “The New York Times” raportoi se lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka urdhëruar forcat e armatosura për të formuluar disa plane duke u mbështetur në rezultatin e mundshëm të një sulmi të pritshëm hakmarrës nga Izraeli, që ka qenë duke u përgatitur me javë.
Zyrtarët, dy prej të cilëve janë pjesë e Rojave Revolucionare të Iranit, thanë se nëse Izraeli shkakton dëm domethënës në objekte të ndjeshme, si qendrat e naftës ose qendrat bërthamore, ose nëse ky shtet vë në shënjestër zyrtarë të lartë iranianë, Irani pa dyshim se do ta përshkallëzojë më tej konfliktin.
Në këtë rast, thanë burimet, Irani do të hidhte deri në 1.000 raketa balistike – hap domethënës në krahasim me 200 të hedhura më 1 tetor – ose madje do ta pengonte furnizimin global me energji dhe rrugët tregtare ndërkombëtare.
Megjithatë, nëse Izraeli do ta kufizojë kundërpërgjigjen në sulme ndaj depove të armëve ose bazave ushtarake, Teherani mund të arrijë në përfundimin se është në interesin e tij më të mirë që të mos bëjë asgjë, duke i dhënë fund rundit më të ri të konfliktit të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.
Më parë ishte menduar se Izraeli ishte duke shqyrtuar sulme ndaj infrastrukturës iraniane të naftës ose qendrave bërthamore të Iranit, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të rrezikut për përshkallëzimin e konfliktit, përfshirë hakmarrjen iraniane ndaj caqeve civile në Izrael dhe në shtete të tjera të rreshtuara me Perëndimin.
Udhëheqësit iranianë në mënyrë publike thonë se nuk kërkojnë luftë të plotë rajonale. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, javën e kaluar zhvilloi disa vizita rajonale për ta theksuar këtë qëndrim. Megjithatë, në raportin e gazetës amerikane gjithashtu thuhet se udhëheqësit e Iranit kanë frikë se po duken të dobët dhe se një goditje e rëndë nga Izraeli do të mund t’i linte ata në pozitë të brishtë dhe duke u ndier se duhet ta rivendosin mbizotërimin në rajon.
Komandanti i Rojave Revolucionare, Hossein Salami, paralajmëroi të mërkurën se as me asistencën e re të Shteteve të Bashkuara – një sistem i avancuar antiraketor që është vendosur në Izrael - ky shtet nuk do të mund t’i shmangte sulmet e ardhshme nga Teherani.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli